Pas një edicioni shumë të gjatë me klube, futbollistët më të mirë evropianë janë grumbulluar me përfaqësuese dhe janë në fazën e fundit përgatitore për “Euro 2024”.


Evropiani fillon të premten me ndeshjen Gjermania – Skocia, që zhvillohet nga ora 21:00 në Munih. Finalja është më 14 korrik në “Olympiastadion” në Berlin.

Si në çdo Evropian tjetër, edhe në “Gjermania 2024” në skenë pritet të dalin emra të rinj. Por po ashtu do të shkëlqejnë edhe lojtarë që tashmë janë shumë të njohur e shumë të suksesshëm.
AP ka bërë një përzgjedhje të lojtarëve që mund të shkëlqejnë në “Euro 2024”.

Phil Foden (Angli)


I zhvilluar me kujdes nga Pep Guardiola, Fodenit i është dashur më tepër kohë që të shpërthejë në nivelin botëror.  Ai tani është atje – në nivelin më të lartë. Sulmuesi i Manchester Citytit shkon në turneun e parë të madh si startues i padiskutueshëm te Anglia dhe si lojtari më i mirë i edicionit në Premier League.

Derisa mbrojtjet do të jenë të fokusuara te Harry Kane dhe Jude Bellingham, mund të jetë Fodeni që do të përfifojtë më së shumti, me shpejtësinë e tij dhe syrin për gol. Do të jetë interesant të shihet nëse do të startojë si mesfushor qendror  sulmues apo në njërin nga krahët. Por ai do të startojë dhe kjo është entuziazmuese për tifozët e Anglisë që kanë pritur që Foden të lulëzojë.

Florian Wirtz (Gjermani)

Një lojtar i ngjashëm me Fodenin është Florian Wirtz, i cili u shqua te Bayer Leverkuseni në kampanjën që përfundoi pa humbje në Gjermani dhe me trofe të Bundesligës dhe kupës gjermane. Si 21-vjeçar, Wirtz është një lojtar i pozitës 10 me balancë të mahnitshme, aftësi teknike dhe kreativitet. Shquhet edhe për presingun në lojë, që kërkohet nga lojtarët sulmues në futbollin modern.

Dikur golashënuesi më i ri në histori të Bundesligës, me 17 vjet, ai është prej lojtarëve më të rinj që kanë luajtur për Gjermaninë ndonjëherë. Shënoi ndaj Francës pas shtatë sekondash në muajin mars.
Ishte goli më i shpejtë ndërkombëtar, para se rekordi t’i thyhej natën e njëjtën.


Për Wirtzin është turneu i parë madhor. Një lëndim në gju e la atë jashtë Botërorit 2022. Por “Euro 2024” qartë se nuk do të jetë turneu i fundit i madh për Wirtzin, yllin në ardhje të Gjermanisë.

Lamine Yamal (Spanjë)

Dikur thuhej se “nëse je i mirë mjaftueshëm, je i rritur sa duhet”. Kjo qartë vlenë për Yamalin, alon e Spanjës që me 15 vjet, 9 muaj e 15 ditë debutoi për Barcelonën. Yamali do të jetë ende 16-vjeçar kur Euro 2024 të fillojë. 


Yamal, i lindur në afërsi të Barcelonës, me nënë nga Guinea Ekuatoriale dhe baba nga Maroku, është superylli i fundit që doli nga akademia e Barcelonës, La Masia. Dhe nuk po ndalet duke vendosur rekorde.

Lojtari më i ri që debutoi dhe shënoi në ligën spanjolle, më i riu që startoi në Champions, më i riu që shënoi për Spanjën dhe më i riu që shënoi në kualifikimet e Evropianit. I shpejtë dhe direkt, Yamal tashmë ka prezencë të dukshme, përkundër moshës së re.

Rafael Leao (Portugali)


Portugalia një ditë do të arrijë në periudhën pas Cristiano Ronaldos dhe përfaqësueses i duhet një yll i sulmit për të ndërtuar lojën rreth tij. Leao ka aftësinë të jetë ai lojtar, ndonëse top-paraqitjet e tij ishin më të rralla se që pritnin nga Milani në edicionin që tashmë ka përfunduar. Talenti i Leaos është i qartë. Ai është njëri prej lojtarëve më interesant të krahut dhe pak të tjerë janë në gjendje të vrapojnë me top në këmbë me aq ritëm, forcë e atleticizëm. Klauzola e lirimit prej 175 milionë eurove është dëshmi e nivelit të tij, por përfundimisht ka shumë hapësirë që Leao të përmirësohet, sidomos kur nuk ka hapësirë për të vrapuar dhe kur duhet të përballet me mbrojtjet kundërshtare.

Khvicha Kvaratskhelia (Gjeorgji)

Suksesi i Gjeorgjisë në ngjarjen e parë të madhe mund të varet nga lojtari i krahut, stili i lojës dhe statusi i të cilit te Napoli është i tillë sa që ka fituar nofkën “Kvaradona”. Është një nderim që i është bërë duke ia përshtatur emrin me atë të argjentinasit të papërsëritshëm Diego Maradona.


Relativisht i panjohur kur iu bashkua Napolit në vitin 2022 nga Dinamo Batumi e Gjeorgjisë, Kvara është tani një prej lojtarëve më interesantë sulmues në Evropë dhe figurë qendrore e Gjeorgjisë.
Gjeorgjianët u kualifikuan në Evropian përmes plejofit. Sa herë që Kvara merr topin, zhurma e tifozëve të Gjeorgjisë rritet ndjeshëm.

Luka Modric (Kroaci)

Tani 38-vjeçar, Luka Modric ka përfunduar edicionin te Real Madridi si lojtar që kryesisht është aktivizuar në pjesën e dytë për të ofruar më shumë kontroll dhe pamje më të mirë të lojës. Por te Kroacia Modriqi është ende lojtari kryesor. Të shtunën shënoi gol në fitoren ndaj Portugalisë. Realizoi me goditje nga pika e bardhë.


Modriqi mund të mos ketë forcën që kishte dikur, por teknika, vizioni dhe menaxhimi i lojës është ende në nivel që do ta dallojë atë nga të gjithë mesfushorët qendrorë në Euro 2024.
18 muaj më parë ai ishte prej lojtarëve më të mirë në Kupën e Botës. Kroacia befasoi të gjithë duke shkuar deri në gjysmëfinale. Tifozët e futbollit janë të lumtur të shohin Modriqin në një tjetër ngjarje të madhe, ndoshta të fundit.

Heorhiy Sudakov (Ukrainë)

Evropiani mund të jetë “vitrinë” e mirë për lojtarët e rinj që të sigurojnë kalim te ndonjë klub i madh. Sudakov mund të jetë në këtë kategori. 


21-vjeçari është zhvilluar shpejt në vitet e fundit. Ai është yll i Shakhtar Donetskut. Ka debutuar në Champions dhe madje ka shënuar ndaj Barcelonës. Pos në Evropian do të luajë edhe në Lojëra Olimpike këtë verë.

Ai është i lumtur që po zhvillohet te Shakhtari, por pritet të jetë lojtar i kërkuar nga klube të mëdha evropiane pas “Euro 2024”./Tema