Udhëheqësit e vendeve të G7 u zotuan të trajtojnë ato që ata i quajtën praktikat e padrejta të biznesit nga Kina që minojnë punëtorët dhe industritë e tyre, sipas një draft deklarate në ditën e fundit të samitit vjetor.

G7 gjithashtu paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime kundër institucioneve financiare kineze që ndihmojnë Rusinë të sigurojë armë për luftën e saj kundër Ukrainës.

Udhëheqësit e Italisë, SHBA-së, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë dhe Japonisë po diskutojnë sot shqetësimet rreth kapacitetit të tepërt industrial të Kinës, që qeveritë perëndimore thonë se po shtrembëron tregjet lokale.

Draft deklarata, e parë nga Reuters, thekson se G7 nuk po përpiqet të dëmtojë Kinën ose të ndalojë rritjen e saj ekonomike, por “do të vazhdojë të ndërmarrë veprime për të mbrojtur industritë tona nga praktikat e padrejta, për të balancuar kushtet dhe për të korrigjuar dëmin e vazhdueshëm”.

Në draftin e tyre, udhëheqësit e G7 premtojnë gjithashtu të vendosin sanksione ndaj subjekteve që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet ndaj naftës së saj. Udhëheqësit e G7 janë gjithashtu të përkushtuar për të përshpejtuar heqjen e karburanteve fosile gjatë kësaj dekade./BalkanWeb