Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat sjell në vëmendje objekte të denja për t’u vizituar nga turistët e shumtë që ia kanë shtuar gjallërinë qytetit. Objekti që DRTK Berat veçoi sot, përmes një publikimi në rrjetet sociale, ishte Ura e Goricës.

Kjo urë është ndërtuar në vitet ’70 të shek. XVIII nga Ahmet Kurt Pasha. Përpara kësaj kohe, të dyja brigjet e Osumit lidheshin me një urë druri. Ajo kishte nëntë harqe me konstruksion druri, të cilat ngriheshin mbi këmbë guri. Kishte një vlerë të madhe për banorët e lagjes “Goricë”, të cilët e ruanin me përkujdesje të veçantë pyllin mbi lagje, prej ku merrej lënda e nevojshme për riparimin e urës.

Ura mban statusin Monument Kulture i Kategorisë I, që prej vitit 1948./ata