Në podcastin e rradhës me Ermal Peçin dhe Marsid Gupin, Lulzim Basha ka udhëtuar në Prekaz, nga ku ka rrëfyer lidhjet e tij me Kosovën, origjinën e gjyshërve dhe punën në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Misionin e OKB-së.
Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, Basha ka treguar momentet e para të hyrjes nga Hani i Elezit, bashkë me autokolonën e trupave britanike si pjesë e skuadrës që kishte mandatin për të hetimin dhe çuarjen pëprara drejtësisë të Sllobodan Millosheviçit.
“Futja e trupave të NATO-s filloi më datë 12 qershor, prandaj edhe 25 vjetori përkon me 12 Qershorin, dhe gjithçka ishte planifikuar në mënyrë ushtarake. Ka qenë një karvan që ka hyrë nga Hani i Elezit, në kufi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në autokolonën e trupave të para britanike, të Gurkhave të famshëm nepalezë, ku karvani me automjete ushtarake, ngjyrat e kamuflazhit ushtarak, nuk lejonin të shiheshin dy automjete të bardha që ishin autojmetet e OKB-së, të skuadrës hetimore të Tribunalit të për krimet e luftës në Jugosllavi.
Në atë kohë shërbeja si drejtues i zyrës operative të Tribunalit në Tiranë, me mandat për hetimin dhe çuarjen para drejtësisë të Sllobodan Millosheviçit, pra aktakuzën kundër Millosheviçit, që ishte dorëzuar 3 javë përpara marrëveshjes së Kumanovës, dhe bashkë me forcate para britanike u futëm në Kosovë për të avancuar me punën tonë. Në veçanti në ato ditë të para, për të parë çfarë mundësish do na paraqiteshin për dokumentimin e mëtejshëm të krimeve dhe përgjegjësisë komanduese të Millosheviçit dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Nuk u përballëm me trupa serbe, por atë mbrëmje që mbërritëm në Prishtinë kuptuam që elementë të ushtrisë serbe, korpusit të Nishit, ndodheshin akoma në Prishtinë. Ndodheshin shumë afër hotel Grand-it, ku ishim stacionuar atë natë, dhe refuzonin të largoheshin sepse drejtuesi i ekipit shkoi, me rekomandimin e ndërlidhësave ushtarakë amerikanë dhe britanikë, u trajtua me arrogancë, dhe pastaj u rikthye me një togë forcash speciale britanike, të cilët kishin një ultimatum të qartë për oficerët e korpusit që akoma nuk ishin larguar.
“Brenda gjysmë ore ose largoheni ose do të arrestoheni për shkelje të marrëveshjes së Kumanovës.
Aty kam parë me sytë e mi panikun e tyre, në afro 20 minuta hipën në automjetet e tyre, u larguan dhe lanë prapa pothuajse të gjitha dokumentet e shtabit të ushtrisë serbe. Një pjesë e mirë e të cilave, më vonë, shërbeu me një vlerë të jashtëzakonshme për dokumentimin e përgjegjësisë komanduese të gjeneralëve dhe autoriteteve politike, të Millosheviçit, në fushatën e krimeve e të spastrimit etnik në Kosovë.
Për mua personalisht ishte sa emocionuese aq edhe përmbushëse të shikoje se si arroganca, pafytyrësia, e atyre që për dy vite me radhë, në mënyrë sistematike, ishin angazhuar në një fushatë vrasjesh masive, të civilëve, fëmijëve, pleqëve, që ishte dhe vetë shkaku i Luftës Çlirimtare dhe i mbrojtjes nga UÇK, pa pritur u shndërruan në fjalët e drejtuesit të ekipit, në “pula të lagura” dhe u larguan për të mos u kthyer më kurrë në Kosovë”, tha Basha./BalkanWeb