Shoqata e të Burgosurve Palestinezë njoftoi se ushtria izraelite arrestoi 90 palestinezë në bastisjet ushtarake në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë festës së Kurban Bajramit.

Shumica e arrestimeve u bënë në rajonin e El-Halilit (Hebron) në jug të Bregut Perëndimor, vuri në dukje shoqata.

Arrestimet e reja kanë çuar numrin e përgjithshëm të palestinezëve të ndaluar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor që nga tetori i kaluar në 9.280, sipas shifrave palestineze.

Tensionet kanë qenë të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar që kur Izraeli nisi një ofensivë ushtarake vdekjeprurëse kundër Rripit të Gazës, ku ka vrarë rreth 37.400 njerëz, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.

Të paktën 548 palestinezë të tjerë janë vrarë dhe rreth 5.200 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa