Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) - Zyra në Prishtinë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuare të Torturës (QKRMT) shfaqën instalacionin artistik "Solidariteti" në Prishtinë, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.

Silueta të prindërve me fëmijë dhe me valixhe në duar duke ecur dhe gjithashtu edhe individë duke vrapuar, janë punuar me hekur, për të paraqitur sakrificat e refugjatëve, në ditën e shënuar për ta, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilja Rexhepi tha se kjo ditë i kushtohet miliona njerëzve të cilët është dashur t'i lënë shtëpitë e tyre dhe të ikin nga vendlindjet si rezultat i luftërave dhe dhunës. Ajo tha se në këtë ditë duhet të rikonfirmohet mbështetja institucionale për personat e prekur, gjegjësisht refugjatët në nevojë, ngase "refugjatët janë personat më të cenueshëm në botë".

"Këta janë njerëz të cilëve u është dashur t'i lënë vendet e tyre, familjet e tyre në kërkim të një vendi më të sigurt për të jetuar. Rrëfimet e tyre janë rrëfime të kurajës, qëndrueshmërisë dhe dëshirës për një jetë më të mirë", theksoi Rexhepi.

Shefi i Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Arjun Shrestha tha se Dita Botërore e Refugjatëve po shënohet në një kohë kur zërat dhe imazhet e luftës janë duke ndodhur në mbarë botën. Ai tha se të jesh refugjat është rrethanë dhe nuk ka të bëjë me identitetin e personit, ngase "askush nuk zgjedh të braktisë shtëpinë e tij".

"Në këtë ditë të rëndësishme e dimë se më shumë se 120 milionë refugjatë janë detyruar që të ikin nga shtëpitë e tyre dhe t'i lënë vendet e tyre. Në vitin e fundit janë ndezur konflikte të reja ndërsa të vjetrat kanë mbetur të pazgjidhura. Në të njëjtën kohë ngjarjet ekstreme të motit janë duke i shkatërruar komunitetet e zhvendosura duke nxitur një zhvendosje të radhës dhe duke nxitur edhe tensione", theksoi Shrestha.

Shresthta tha se tani për tani, refugjatët kanë nevojë për solidaritetin e njerëzve më shumë se kurrë.

Në shënimin e kësaj dite morën pjesë edhe refugjatë nga Ukraina, Siria, Palestina dhe vende të tjera të cilët po qëndrojnë në Kosovë për tash e disa vite.

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës. Këto dy qendra në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona./aa