Presidenca Palestineze dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës (PLO) mirëpritën vendimin e Armenisë për të njohur shtetin e Palestinës.
Sipas një deklarate, të raportuar nga agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, "Presidenca Palestineze ka përgëzuar vendimin e Republikës së Armenisë për të njohur zyrtarisht Shtetin e Palestinës si një komb i pavarur dhe sovran".
Presidenca shprehu vlerësimin e thellë për "këtë vendim të guximshëm dhe domethënës", duke e parë atë si “një hap kryesor drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe nxitjes së paqes dhe stabilitetit në rajon".
"Vendimi i mençur i Armenisë përputhet me parimet e zgjidhjes me dy shtete, një zgjedhje strategjike që mbështet vullnetin dhe legjitimitetin ndërkombëtar. Kjo njohje kontribuon pozitivisht në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete, e cila përballet me sfida sistematike dhe promovon sigurinë, paqen dhe stabilitetin për të gjitha palët e përfshira”, tha presidenca.
Ndërkohë, Hussein Al-Sheikh, sekretari i Komitetit Ekzekutiv të PLO, gjithashtu vlerësoi pozitivisht njohjen e shtetit të Palestinës nga Armenia.
"Kjo është një fitore për të vërtetën, drejtësinë, legjitimitetin dhe luftën e popullit tonë palestinez për çlirim dhe pavarësi. Faleminderit Armenia mike", u shpreh ai.
Më herët gjatë ditës, Armenia tha se e njeh shtetin e Palestinës.
Spanja, Norvegjia, Irlanda dhe Sllovenia e kanë njohur së fundmi shtetin palestinez./aa