Investimet në impiante fotovoltaike rezultojnë me trend në rritje.

Qeveria po mbështet këto investime duke i orientuar edhe në mbështetje të bujqësisë.

Ligji për kriteret për përdorimin e tokës bujqësore, për kryerjen e aktivitetit agrifotovoltaik dhe eolik në tokat bujqësore, procedurat për monitorimin e ushtrimit të aktivitetit, përfshirë masat për shkelje të kushteve të ushtrimit të aktivitetit është botur në Fletoren Zyrtare duke i hapur rrugë investimeve të reja.

Investimet përfshijnë projekte për vetëkonsum, por sidomos për shitje të energjisë në tregun e lirë.

Vendim i fundit i qeverisë përcakton kriteret që duhet të ketë toka që mund të përdoret për instalimin e impianteve dhe njëkohësisht të mos e ndikojë aspektin e prodhimit bujqësor.

Gjithashtu, përcaktohen kriteret për ushtrimin e aktivitetit të prodhimit të energjisë së rinovueshme agrifotovoltaike në tokat bujqësore me bonitet 7 dhe 8, dhe eolike në tokat bujqësore me bonitet deri në 8.

Sipas vendimit, ushtrimi i aktivitetit bujqësor të jetë në mënyrë të pandërprerë për çdo vit. Para aplikimit për pajisjen me të drejtën e ndërtimit të burimit rigjenerues në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, investitori paraqet për miratim në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural planin e biznesit, ku përcaktohen kulturat bujqësore, tipike të zonës, që kultivohen, prodhimi bujqësor në sasi dhe informacion, për plotësimin e kritereve të tjera

Sistemet e paneleve fotovoltaike, që do të instalohen në tokë bujqësore, me bonitet 7 dhe 8, të përfshijnë një sistem të integruar, të sigurojnë raportim të parametrave të përdorimit të ujit, shëndetin e kulturave të mbjella, ruajtjen e shëndetit të tokës bujqësore.

Instalimi i moduleve fotovoltaike të ndjekë drejtimin e punimit të mekanizuar të tokës dhe të mos pengojë përdorimin e mekanikës.

Sipërfaqja e tokës në dispozicion të aktivitetit bujqësor nuk mund të jetë më pak se 60% e saj.

Instalimet e infrastrukturës së vendosjes së paneleve të jenë të çmontueshme dhe të mos përdoren materiale, të cilat dëmtojnë tokën.

Sipërfaqja e moduleve fotovoltaike në tokë bujqësore për aktivitet agrofotovoltaik të lejojë jo më pak se 60% dritë në të mbjella, duke siguruar diellzimin e nevojshëm për kulturat bujqësore.

Prodhimi bujqësor të mos jetë më i vogël se 70% e prodhimit bujqësor, para instalimit të paneleve ose rendimentit të referencës, i cili llogaritet duke përdorur mesataren trevjeçare, në rang bashkie.

“Në rastet e mungesës së të dhënave të prodhimit bujqësor, përdoren të dhënat që publikohen nga agjencitë rajonale të ekstensionit bujqësor dhe të konfirmuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në bonitetin e tokës bujqësore”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare./ata