Thellohet skandali te spitali Onkologjik pranë QSUNT, ndërsa Prokuroria e Tiranës paraditen e sotme caktoi masat e sigurisë për disa persona, përfshi mjekë dhe infermierë, për një nga skandalet më të mëdha në fushën e shëndetësisë.


Skema që aplikohej ndaj pacientëve me sëmundje të rënda ishte jo vetëm korruptive, por një “dënim me vdekje” që iu bëhej ose duke i dhënë doza më të vogla medikamentesh se kurat e përcaktuara, ose duke i detyruar që kundrejt shumave të konsiderueshme të blinin medikamentet në farmacitë private ose të merrnin trajtime në klinika private, ku referoheshin nga mjekë e infermierë.


Lidhur me skandalin, burime nga KLSH bëjnë të ditur se po vijojnë auditimet në fushën e shëndetësisë dhe për të gjitha shkeljet që do të konstatohen, do të referohen në prokurori. Për Kontrollin e Lartë të Shtetit, shëndeti i qytetarëve, ka qënë , është dhe do të jetë prioritet i punës së këtij institucioni.

Çfarë zbuloi KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit në fund të vitit që lamë pas ishte i pari që denoncoi situatën te onkollogjiku madje problemet e konstatuara, janë akoma më të mëdha se ato që janë zbuluar sot. KLSH bëri një audit të thelluar tek Onkologjiku dhe zbuloi pafund shkelje por këto rekomandime nuk u morrën parasysh.

KLSH  zbuloi se në Onkollogjik nuk ka patur asnjë të dhënë mbi situatën e kancerit në vend prej më shumë 10 vjetësh. Ndër të tjera në raport thuhet:

“Për periudhën në auditim (2020-2022) Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk disponon:

  1. Raporte monitorimi dhe vlerësimi në përfundim të Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit në Shqipëri 2011-2020;
  2. Raporte monitorimi, vlerësimi për ecurinë e kancerit për vitet 2021-2022;
  3. Regjistri Kombëtar i Kancerit nuk ka të dhëna në kohë reale të rasteve të reja për ecurinë e sëmundjeve tumorale si dhe mortalitetin e shkaktuar nga kanceri.

Gjetje nga auditimi: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka ndryshuar dhe miratuar: a. Rregulloren për përcaktimin e kritereve dhe normave shëndetësore për të sëmurët paliativ pranë institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale; Protokollet klinike të cilat janë prej vitit 2014, ndonëse lista e barnave esencialë që përdoren në kujdesin paliativ është pasuruar”, thekson KLSH.

KLSH zbuloi dhe skandalin me pajisjet. Gjatë periudhës së auditimit rezultoi se Bankiterapia, pajisja e cila bën kimioterapinë, ka qenë e prishur dukë bërë që të mos merrnin shërbimin 200 pacientë në vit. Ndërkohë, rezulton se 600 gra nuk janë trajtuar për tumorin e tyre gjatë periudhës që kjo pajisje ka qenë e prishur.

“Mjekët onkologë të njësisë së radioterapisë, referojnë se jo të gjithë pacientet trajtohen edhe me Brankiterapi, por shumica e rasteve gati 200 pacienteve në vit duhet të trajtohen nëpërmjet kësaj pajisje me radioterapi. Trajtimi me Brakiterapi (Kyriterapi) nuk ka qenë funksional, për periudhën në auditim, për shkak të mungesës së burimit radioaktiv Iridium (192). Kjo pajisje nuk është bërë ende funksionale, për shërbimin dhe për trajtimin e pacientëve me Ca gjinekologjik me radioterapi. Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit, ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, thekson KLSH në raport.

Por nëse shohim me kujdes raportin e KLSH, duket se kemi të bëjmë me një skemë. Pajisja lihet qëllimisht e prishur që pacientët të shkojnë te privati. Dhe këtu kemi një skemë shumë më të thellë sesa mjekët.

‘Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza”, nuk ka mundur të sigurojë pajisjen mjekësore të Brankiterapisë, të disa elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike), nuk ka mundur në kohë të realizojë rehabilitimin e ambienteve për përshtatjen e vendosjes së pajisjes së Ortovoltazhit si dhe mostrajtimi në kohë i pacientëve që kanë nevojë për to, tregon se shërbimi i Spitalit Onkologjik në trajtimin e sëmundjeve tumorale për periudhën në auditim nuk ka efektivitet të plotë, duke cënuar cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve’, thekson KLSH.

Po ashtu KLSH zbuloi atë që bëri dhe prokuroria. Pajisja e re ishte blerë në vitin 2023, por rrinte në kuti dhe nuk instalohej duke luajtur me jetën e njerëzve.

Në një tjetër auditim, KLSH zbuloi skandalin me ilaçet. Në raport kontrollin e bërë, audituesit kanë monitoruar 13 barna, duke zbuluar se në disa periudha farmacia nuk ka patur medikamente, pasi distributorët që kanë kontrata me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT, i kanë sjellë me vonesë.

“Referuar dokumentacionit të paraqitur si më sipër, furnizimet janë bërë nga 12 deri në 34 ditë me vonesë, në kundërshtim me recetat e lëshuara nga mjekët, ku barna të tilla për sëmundjet tumorale, dializë dhe transplant kanë një përsëritje fikse, çdo 10 ose 15 ditë. Theksojmë se nuk bëhet fjalë për 13 pacientë, por për 13 barna, të domosdoshëm për kurimin e një numri të konsiderueshëm pacientësh”, thuhet në raportin e auditimit të KLSH./BalkanWeb