Kanë përfunduar takimet bilaterale të Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ndaras me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa një takim trilateral.
Pas këtyre takimeve, Borrell tha se kryeministri Albin Kurti nuk ka shprehur gatishmëri për të mbajtur takim trepalësh në Bruksel dhe se Kurti, siç tha ai, ka vendosur tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin e normalizimit.
Borrell tha se është kërkuar që Marrëveshja Bazë të formalizohet me nënshkrim nga shefat përkatës të qeverive, të tërhiqet letra e 13 dhjetorit e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, si dhe të dorëzohet krimineli Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore të Kosovës.
“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot”, theksoi Borrell në konferencën për media pas takimeve.
Tutje, ai tha se edhe Kosova edhe Serbia janë përgjegjëse për mospërmbushjen e asaj për çka janë zotuar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve konfirmoi se ka kërkuar që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që të zhvillohet takim me presidentin e Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së.
Kurti tha se nga hera e fundit kur Kosova ka pasur takim trilateral në Bruksel, më 14 shtator, kanë ndodhur shumë gjëra, përfshirë sulmin në Bansjka, por edhe letrën e tërheqjes nga Marrëveshja Bazike nga ana e Serbisë.
Kurti ka shtuar para gazetarëve se organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, duhet t’u dorëzohet autoriteteve kosovare, “përndryshe normalizimi dhe paqja nuk ndodh në rajon”.
“Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, mirëpo Serbia duhet të na e dorëzojë Milan Radoiçiqin. Kjo është arsyeja se pse sot kishim takime bilaterale pa atë trilateral”, theksoi Kurti.
Më tej ai tha se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në fillim të korrikut në Bruksel, por nuk do të mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa reazliuar tri pikat e përmendura nga ai.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas takimeve dypalëshe ka thënë se Kurti nuk ka dashur ta takojë.
“U ktheva në takim tri herë, ata më transmetuan mesazhet e tij”, ka thënë Vuçiq në një deklarim për media.
Vuçiq ka shtuar se takimi me Borrellin dhe Lajçakun “ka qenë i suksesshëm” dhe se është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve dhe situatën në Kosovë.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq nuk janë ulur në një tavolinë për më shumë se nëntë muaj. Takimi i fundit mes tyre, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim. Ata diskutuan për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në shkurt të atij viti, por nuk u dakorduan për mënyrën. Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi në Banjskë të komunës së Zveçanit, nga ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit sulmues./aa