Një zjarr ka rënë në kullën e katedrales mesjetare të qytetit Rouen në rajonin e Normandisë në veri të Francës.

Kryetari i Bashkisë së Rouenit, Nicolas Mayer-Rossignol tha në një deklaratë në llogarinë e tij në X se ende nuk dihen shkaqet e zjarrit të katedrales, e cila është në restaurim e sipër. Ai shtoi se të gjitha burimet publike janë mobilizuar për të reaguar ndaj zjarrit.

Zyra e Guvernatorit të Normandisë dhe Seine-Maritime tha në X se katedralja është evakuuar dhe ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje. Sipas saj, rreth katedrales është vendosur një perimetër sigurie ndërsa u kërkua nga qytetarët të qëndrojnë larg zonës.

Në pamjet e përhapura në rrjetet sociale shihet tym i dendur i zi që ngrihej nga kulla e ndërtesës historike. Mediat franceze raportojnë se në vendngjarje kanë ndërhyrë 63 zjarrfikës me 33 makina zjarrfikëse.

Ndërtimi i Katedrales së Rouenit, e cila filloi në shekullin e 11-të gjatë mesjetës, përfundoi në shekullin e 16-të gjatë periudhës së Renesancës. Katedralja është ndër ndërtesat më të rëndësishme historike të qytetit. Punimet restauruese kanë vazhduar në katedrale që nga viti 2016./aa