Autoriteti Kombëtar i Ushqimit reagoi sot pas shqetësimeve të transmetuara në media lidhur me importin e akulloreve nga Franca me prani të oksid etilenit.

AKU informoi mbi procedurat e dnjekura dhe masat e marra në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

AKU bën të ditur se më datë 30.07.2021 ora 11.49 PM nga sistemi RASFF informohemi se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante substancën e paautorizuar “oksid etileni” në stabilizuesin “lygomme” të përdorur për prodhimin e akullores.
Me marrjen e njoftimit, AKU thotë se ka kryer verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe ka nisur inspektimin në operatorë të biznesit ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij.

“Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021). Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti”, informoi AKU.

AKU, po ashtu thotë se ka bërë njoftiminpër konsumatorin për produktet e përcaktuara në Lotet respektive, për moskonsumim dhe kthim mbrapsht në pikat e shitjes ku e kishin blerë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Një ditë më parë kreu i KLSH, Arben Shehu deklaroi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave se në Shqipëri janë treguar akullore të kontaminuara me oksid etileni./ATSH