Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga puna e Policisë Rrugore, që përmes dronit edukues ka vendosur 2 630 gjoba për drejtuesit e mjeteve që kanë kryer shkelje të qarkullimit rrugor në akset e zonave bregdetare nga Gjiri i Lalzit në Ksamil.

Balla shkruan se gjobat janë vendosur gjatë ditëve të fundit për parakalime të gabuara, shkelje me rrezikshmëri të lartë për krijimin e aksidenteve..etj.

“Kush mendon se mund të parakalojë gabim, apo të shkelë në një formë tjetër rregullat e qarkullimit rrugor, duhet ta dijë se Policia e Shtetit po ju sheh edhe nga lart”, shprehet  Balla.

“Droni edukues ka vijuar monitorimet në zonat bregdetare, duke filluar nga gjiri i Lalzit deri në Ksamil. Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me sektorët e Policisë Rrugore në qarqe, gjatë ditëve të fundit, ka konstatuar nëpërmjet dronit, në akset rrugore në zonat bregetare, dhe ka ndëshkuar 2630 drejtues mjetesh, për parakalime të gabuara, shkelje kjo me rrezik të lartë për përfshirje në ngjarje rrugore. Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore”, njofton Policia Rrugore.