"Tri javë të tjera dhe nuk do të ketë më ujë për bujqësinë në Qendër dhe në Jug të Sicilisë". Alarmi i thatësirës u lëshua nga autoritetet vendase, që raportuan se rezervuarët janë pothuajse bosh. Teksa turistët po shijojnë granitat e akullta dhe notojnë në detin e Mesdhut, tokat bujqësore të Sicilisë jugore po thahen dhe kodrat aq të djegura u ngjasojnë dunave të shkretëtirës. Liqeni Pergusa në Sicilinë qendrore, pjesë e një rezerve natyrore, i ngjan një krateri të thatë.
Por për shumë prej këtyre rajoneve, vera është gjithashtu sezoni i pikut për turizmin, një mjet kryesor ekonomik për të cilin autoritetet kanë frikë se po kërcënohet nga lajmet për mungesën e ujit. "Ne jemi të detyruar të sakrifikojmë veten, shtëpitë tona dhe dëmin ndaj bujqësisë, por duhet të përpiqemi të mos dëmtojmë turizmin, sepse do të ishte edhe më keq", tha Salvatore Cocina, kreu i mbrojtjes civile të Sicilisë.
Autoritetet thanë se kishin prioritet sigurimin e ujit për spitalet, për bizneset që prodhojnë asete kyçe si oksigjeni dhe për segmentet e cenueshme të popullsisë. Por edhe për hotelet. “Turistët nuk e vënë re dhe nuk do ta vënë re thatësirën”, premtoi Elvira Amata, zyrtarja më e lartë e turizmit në Sicili.
Por jashtë vendpushimeve, në jugun e thatë të ishullit, shenjat janë kudo. Në Agrigento, në luginën që mban rrënojat e disa tempujve grekë, autoritetet po bëjnë racionimin e ujit. Ata kanë vënë në dispozicion të hoteleve kamionë me ujë, por një numër i vogël i hoteleve kanë nisur të anulojnë rezervimet. Edhe vetë turistët janë trembur dhe po ikin.
Autoritetet vendase po planifikojnë një fushatë reklamuese për të luftuar frikën nga thatësira. Sicilianët këmbëngulën se Sicilia jugore jo vetëm që ishte gati për të mirëpritur turistët, por gjithashtu kishte nevojë të dëshpëruar për ta. “Nëse na largoni edhe turizmin, ne do të vdesim”, tha Cinzia Zerbini, një zëdhënëse nga shoqata më e madhe e fermerëve në Itali.
Mirëpo shumë fermerë janë të dëshpëruar. Njëri, në kodrat pranë qytetit jugor sicilian të Caltanissetta, tha se dhitë e tij po pinin aq pak ujë të përzier me dhe sa që kishin ngordhur teksa balta i thahej në stomak. "Nëse nuk marrim foragjere dhe nuk marrim ujë, do të na duhet t'i therim të gjitha”, tha ai. Mirëpo shumica në Sicili ishin aq mirënjohës për përfitimet financiare të sjella nga turizmi, saqë nuk kundërshtuan konsumin e ujit nga turistët gjatë thatësirës./Tema