Duket se dhe fjalori i famshëm botëror i Universitetit të Kembrixhit nuk mund të ndahej nga ndikimi që na japin rrjetet sociale në komunikimin tonë online e po kështu dhe në të përditshmen tonë.
Fjalori i Kembrixh ka shtuar plot 3200 fjalë të reja, që në fakt prejardhjen e tyre e kanë ose nga bota digjitale, apo nga gjenerata “Z”, e cila shquhet për krijimin e termave të rinj të fjalëve.
Në zgjerimin e këtij fjalori, janë përfshirë fjalë si “ick” apo “boop”, të cilat i kanë rrënjët në kulturën e internetit dhe ndërveprimet sociale moderne.
Fjala “ick”, fitoi popullaritet nga shfaqja britanike për gjetjen e dashurisë, “Love Island”. Në këtë reality-shoë, kjo fjalë u përdor shpesh për të treguar mospëlqimin ndaj diçkaje të kryer nga dikush, duke e perceptuar ndryshe si të neveritshme.
Fjalori i Kembrixh e përkufizon këtë fjalë si “ndjenjë të papritur të mospëlqimit ndaj dikujt ose diçkaje, ose të mos tërheqjes më nga dikush për shkak të një veprimi që ata bëjnë”.
Ndërkohë, fjala “boop”, po aq e çuditshme sa tingëllon, i referohet një prekjeje të butë, zakonisht në hundë ose në kokë, veprim ky i bërë me dashuri. Ky term është bërë i zakonshëm për të përshkruar ndërveprimet e lehta midis njerëzve apo miqve tanë 4 putroshë.
Gjithashtu në fjalorin universal të Kembrixh, janë shtuar dhe termat e mëposhtme:
“Chef’s kiss”, ose në shqip “Puthja e shefit”, e cila përdoret për të treguar se një gjë është e përsorur, e shkëlqyer, duke qenë e ngjashme me gjestin e një kuzhinieri i cili puth gishtat e tij kur ka gatuar një pjatë ‘perfekte’.
“IFYKYK”, shkurtim i “nëse e dini, e dini”, filloi përdorimin e saj të gjerë në mediat sociale për të treguar njohuritë e përbashkëta apo shaka të ndërsjella të brendshme.
“Speedrun”, që do të thotë përfundimi i një loje, ose pjesë e një loje, sa më shpejt të jetë e mundur.
Si përfundim, është më se e qartë që rrjetet sociale dhe komunikimi “me kode” i gjeneratës Z kanë një ndikim të madh në formësimin e gjuhës moderne.
Integrimi i këtyre 3200 fjalëve të reja në fjalorin e Kembrixh nuk reflekton gjë tjetër përveçse mënyrën si komunikimi digjital po ndryshon e po pasuron gjuhën tonë të përditshme./GazetaShqiptare