Prej 30 korrikut maturantët kanë nisur plotësimin e formularit A2 në renditjen e 10 preferencave të tyre, dhe kanë afat deri më 4 Gusht për të aplikuar për t’u regjitstruar në universitet. Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelajt thotë për Report TV se deri më tani rreth 15 mijë maturantë e kanë mbyllur procesin e aplikimit në portalin Ualbania, dhe ata që ende nuk e kanë bërë kano kohë deri mesnatën e sa dielës.
“Deri në këtë moment 3/4 e maturantëve kanë aplikuar, pra 15 mijë maturantë e kanë mbyllur procesin e aplikimit nga rreth 20 mijë që konfirmohen në sistem dhe do presin pastaj procesin e renditjes dhe të regjistrimit”, tha ai.
Edhe këtë vit më me interes nga maturantët shihen degët e inxhinierisë, kryesisht të teknologjisë së informacionit si dhe të mjekësisë.
“Interesi i maturantëve në përzgjedhjen e tyre për 10 degë është kryesisht në ato të inxhinierisë së teknologjisë së informacionit, rreth 26.5% të aplikimeve, pak më pak te shkencat mjekësore dhe infermieria, pra 23,5 % dhe në vend të tretë shkencat ekonomike me 16%”, shprehet Xhelaj.
Sipas Xhelajt këtë vit vihet re edhe një rritje e interesit të aplikantëve për programet 2 vjeçare, kjo për shkak të maturantëve që nuk arrijnë të plotësojnë kriterin e mesatares mbi 6.5 për të ndjekur sistemin bachelor.
“Vëmë re që është rritur interesi edhe për programet 2 vjeçare, rreth 9%. Të themi një preferencë dhe drejtim i duhur për maturantët që nuk plotësojnë kriterin e mesatares 6.5 për ciklin bachelor”, vijon Arjan Xhelaj, Rrjeti Akademik Shqiptar.
Më 27 gusht, portali U-albania shpall listën e fituesve, ndërsa më 30 gusht nis regjistrimi i studentëve në universitete që do të zgjasë deri më 13 shtator./Shqiptarja