Teatri “Aleksandër Moisiu” i qytetit të Durrësit fton të gjithë artdashësit të ndjekin të martën një spektakël të vërtetë në sheshin “Liria” në Durrës.
Në shesh sonte do të interpretojë grupi “Balkan Bazar”, i formuar në vitin 2018 nga idea e Wilson Luari, muzikant dhe muzikoterapist shqiptar që jeton në Itali, në bashkëpunim me muzikantët e tjerë të grupit, të gjithë italianë.
Koncerti vjen me mbështjen e Bashkisë Durrës si dhe Teatrit “Aleksandër Moisiu”.
Idea e projektit lindi nga një grup shokësh dhe kolegësh me idenë që të sillnin në skenën e muzikës italiane kulturen ballkanike, sidomos atë shqiptare. Repertori i “Balkan Bazar” përmban më shumë se pesëdhjetë këngë, disa të marra nga folklori ballkanik si dhe krijime të reja të grupit. Idea muzikore është miksimi i traditës me muzikën rrok.
Grupi “Balkan Bazar” e merr emrin si një tribut ndaj filmit me të njëjtin titull të regjisorit shqiptar Edmond Budina./ata