Nga Romario Ismailaj
Lojërat Olimpike të kësaj vere në Paris vijuan të tregojnë problemet e shumta që ka sporti shqiptar dhe mbi të gjitha, pritjen e gjatë të Shqipërisë për një medalje olimpike.
Shqipëria është ende në pritje të një medalje olimpike edhe pse garon në Lojëra që nga viti 1972. Sivjet në Paris, sportistët kuqezinj as u afruan finaleve, e jo më të pretendonin një të tillë. Po flasim për sportistë të cilët janë trajnuar brenda vendit dhe jo të marrë të gatshëm nga diku tjetër.
Shqipëria apo “Team Albania” dergoi tetë sportistë në “Paris 2024”, ku vetëm katër prej tyre arritën të kapnin normat olimpike, ndërsa katër të tjerë shkuan me ftesë.
Si për ironi të fatit, edhe në Lojërat Verore “Tokio 2020” (të zhvilluara në 2021 për shkak të Covid-it), Shqipëria pati po katër sportistë të kualifikuar në bazë të rezultateve të tyre, nga nëntë që ishin në total.
Në dallim nga ato Lojëra, në “Paris 2024”, Shqipëria ka humbur dy peshëngritësit Erkand Qerimaj dhe Briken Caljan, të cilët kanë qenë medalistë në kampionate të ndryshme. Ata gjithashtu kanë qenë prezent në Lojëra më herët. Duhet pranuar se, nëse forma fizike e tyre do të ishte optimale, Shqipëria do të kishte një shans të mirë për medalje në këtë disiplinë.
Për t’u rikthyer te Lojërat e Parisit, nga katër sportistë që kapën normat, vetëm Luiza Gega, është krenaria shqiptare, ai produkti “bio” vendas. Të tjerët, vijnë nga qindra kilometra larg, nga Rusia.
Përkatësisht, Zelimkhan Abakarov, Islam Dudaev dhe Chermen Valiev janë të gjithë shtetas shqiptar, të natyralizuar. Pavarësisht se stërviten në Shqipëri, ata nuk janë të përgatitur nga zero në vendin tonë, por janë produkt i gatshëm.
Dhe, shpresa e Shqipërisë për një medalje olimpike tani mbetet përfundimisht në duart e tre mundësve, të cilët ende nuk kanë garuar në këto Lojëra, por do e bëjnë së shpejti.
Në gara të tjera, ata i kanë sjellë Shqipërisë shumë medalje, por se sa do të munden në Paris, kjo do të shihet më 8-9-10 gusht.
Ajo çfarë dhemb më shumë në fakt, ka të bëjë me naivitetin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili vijon propagandën parapërgatitore me sportistët dhe fjalët e mëdha, por konkretizimi është një dhe i vetëm deri më tani: Nul.
Fjala bie, në rastin e Gegës nuk është një “dramë” mos marrja e një medaljeje olimpike (ku kenianet, etiopianet etj. janë dominuese prej dekadash), sa është fakti i fryrjes së performancës së pritshme.
Nga vetë drejtuesit e KOKSH-it, është paraqitur një tablo madhështore e përgatitjes së Gegës, në kushtet më optimale.
Pritshmeritë rriten përtej qiellit për gjithë shqiptarët, që veç duan të shohin një medalje. E ajo çfarë marrin në fund është një performancë tejet zhgënjyese, të cilën vetë Gega e pranon dhe e quan veten “dështim”, duke “poshtëruar veten” në postime të panevojshme në media sociale e duke e ulur vetë figurën e saj.
Ndonëse në “Tokio 2020”, për të marrë vetëm Lojërat e fundit, Luiza shkroi historinë duke arritur finalet, rezultati i tanishëm, le ta pranojmë, ishte tepër zhgënjyes. Por, nga ana tjetër, duhet përmendur fakti se Gega është sportistja e vetme kuqezi (nga sportistët e pranishëm në Paris) e cila kualifikohet për shkak të aftesive të saj në disa Lojëra radhazi.
Për shembull, asnjë nga shtatë sportistët e tjerë kuqezi që ishin apo janë në “Paris 2024” nuk ishin të pranishëm në Tokio apo në Rio.
Ndaj pyetja shtrohet: A është aq e nevojshme që një sportiste olimpike si Gega, të kryeje atë lloj “vetëflijimi publik” për një performancë të dobët, që mund t’i ndodhë çdokujt.
Apo, duhet të ketë reflektim në struktura më të larta, të cilët ushqejnë sportistët përtej kapaciteteve të tyre, me një lloj pritshmërie dhe presioni publik, që del jashtë mundësive të tyre?
Mbase kjo fryrje përtej kapaciteteve është paksa “alla shqiptare”. Është një situatë e ngjashme me Kombëtaren kuqezi në Euro 2024, ku pavarësisht kundërshtarëve tepër të fortë, shpesh dëgjoheshin deklarata të bujshme, deri aty sa do të kalonim grupin, do të arrinim në çerekfinale, apo edhe finale, për disa.
Në fund, ashtu si edhe me Lojërat, rezultati ishte zhgënjyes. Një pikë në tre ndeshje dhe vendi i fundit në grup. Në “Paris 2024” jemi gjithashtu në fund të listës aktualisht, në vendin e 74-të, së bashku me shumë shtete të tjera, me asnjë medalje.
Tani, le të shpresojmë, si e vetmja gjë që na ka mbetur, dhe të kryqëzojmë gishtat se mundësit tanë, ata që i kemi marrë nga qindra kilometra larg, sepse nuk ishim të denjë për të prodhuar asnjë të atij niveli këtu, të na nderojnë siç na kanë nderuar nëpër kampionate të ndryshme.
Shqipëria mbetet pa medalje dhe numri i sportistëve që dërgon në Lojërat Verore mbetet në rënie. Maksimumi është arritur në “Pekin 2008” dhe “Londer 2012”, 11. Dhe, që atëherë shifrat kanë qenë gjashtë në Rio, nëntë në Tokio dhe tetë në Paris.
KOKSH-i ka qenë i zëshëm gjatë viteve të fundit duke treguar dhe aplikuar projekte për zhvillimin e sportit në Shqipëri, sidomos në shkolla, duke shtuar fondet dhe madje duke shkuar deri aty sa të pretendonte për ndërtimin e një fshati olimpik, i cili do të kërkonte miliona euro fonde.
Por, a na duhet një fshat olimpik? Apo, Shqipëria ka nevojë më shumë për t’u fokusuar në përgatitjen e sportistëve dhe rikthimin me një fokus maksimal në ato disiplina ku vërtetë gjeni shqiptar është i prirur si peshëngritja, boksi, mundja, noti etj.
Shembulli më i mirë i kësaj është Kosova, e fokusuar më shumë në xhudo, aty ku sportistët e saj janë të një niveli të lartë dhe sjellin medalje. Në Paris, Kosova mori dy medalje në këtë sport, argjend dhe bronz, të cilat iu shtohen tre të artave të marra më herët në Rio dhe Tokio.
Është për të ardhur keq kur shikon që Shqipëria nuk përfaqësohet nga asnjë peshëngritës në Lojërat e Parisit, apo kur notarët kuqezi që janë shumë të rinj në moshë dhe pavarësisht punës dhe përpjekjeve të tyre nuk ia dalin.
Luiza Gega mbetet flamuri i sportit shqiptar. Por, në moshën 35-vjeçare ajo duhet të “zëvendësohet”. Dhe tani lind pyetja, a e kemi një “Luiza Gega te re”? Deri më tani, shenjat nuk japin shumë shpresë.
Pyetje të tilla lindin edhe për emrat si Calja apo Qerimaj, që gjithashtu janë flamuj të sportit shqiptar. Dëmtimet kanë bërë të veten, duke i penguar në rrugën e tyre, por Shqipëria duhet të përgatitet seriozisht për të pasur flamurtarë të rinj dhe jo vetëm propagandë boshe.
Përsa i përketë shpërblimeve sportive, Shqipëria ka një nga ligjet më të mira, dhe në nivel ekonomik ato janë me vendet më të zhvilluara, madje edhe duke i tejkaluar disa prej tyre.
Shteti shqiptar shpërblen sportistët, marrim vetëm rastin e Lojërave, për tetë vendet e para, si dhe thyerjen e disa rekordeve.
Vendi i parë, pra një medalje e arte, bënë që sportisti kampion të shpërblehet me 10 milionë lekë, një shifër të cilës mund t’i shtohen nga 15 milionë lekë për thyerjen e një rekordi olimpik ose botëror.
Vendi i dytë fiton 7 milionë lekë, dhe kështu me radhë deri te vendi i tetë shpërblimet janë: 5 milionë, 3 milionë, 2 milionë, 1 milion, 800 mijë dhe 500 mijë.
Ndaj, qartazi problemi nuk janë paratë, por nxitja e shpirtit sportiv te të rinjtë, e cila mungon dukshëm.
Për ta gjetur rrugën drejt saj, dikush të mendojë dhe nëse nuk ndodh herët ose vonë, pritja për medalje do të vijojë të mbetet e gjatë.
PS. Këto Lojëra nisën keq, me një incident, ku gjatë parakalimit të ekipit shqiptar në ceremoninë hapëse u valëvit një flamur jo zyrtar kuqezi, faji për të cilin iu faturua organizatorëve të “Paris 2024”.
Le të shpresojmë dhe besojmë se edhe fati për dështimet e njëpasnjëshme të sportit shqiptar, të mos i mbeten palëve të treta! / Tema