Egjipti ka udhëzuar linjat ajrore të vendit që të shmangin hapësirën ajrore të Iranit për një periudhë 3-orëshe herët të nesërmen mes shqetësimeve për një sulm iranian kundër Izraelit.

NOTAM, njoftim i dorëzuar te autoritetet e aviacionit për të paralajmëruar pilotët e avionëve për rreziqe të mundshme përgjatë një rruge fluturime, tha se udhëzimi do të jetë efektiv nga ora 01:00 deri në orën 04:00 sipas kohës lokale.

“Të gjithë transportuesit egjiptianë duhet të shmangin fluturimin mbi Teheran. Asnjë plan fluturimi nuk do të pranohet mbi një territor të tillë”, thuhet në njoftim.

Izraeli është në gatishmëri të lartë ushtarake për një sulm të mundshëm iranian pas vrasjes së javës së kaluar të shefit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në kryeqytetin iranian Teheran. Derisa Hamasi dhe Irani akuzuan Izraelin për kryerjen e vrasjes së Haniyeh-it, Tel Avivi nuk e ka konfirmuar apo mohuar përgjegjësinë.

Përshkallëzimi vjen në mes të ofensivës shkatërruese të Izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit tetorin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 39.600 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 91.600 të tjerë janë plagosur. Mbi 10 muaj nga lufta izraelite, pjesë të mëdha të Gazës qëndrojnë në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa