Pista e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do të jetë gati në fund të vitit, për t’u futur në testet e certifikimeve evropiane.

Lajmi u dha mëngjesin e sotëm nga kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një video me pamje të marra nga fluturimi i Alket Islamit mbi pistën e këtij aeroporti.

“Mirëmëngjes dhe me fluturimin e legjendarit Alket Islami mbi pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, e cila do të jetë gati në fund të vitit, për t’u futur në testet e certifikimeve evropiane dhe për të pritur pasagjerët e parë verën e ardhshme, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Më 20 prill 2021 u nënshkrua kontrata me kompaninë fituese për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ky aeroport do të jetë i treti në vend dhe do të ketë edhe fluturime transoqeanike. Aeroporti ndërkombëtar i Vlorës parashikohet të jetë aeroporti më i madh në rajon jo vetëm për pasagjerët dhe mallrat, por edhe të industrisë për mirëmbajtjen e avionëve.

Terminali do të ketë një sipërfaqe prej 20 000 metrash katrorë. I gjithë aeroporti do të jetë i mbuluar me panele diellore. Këto do të prodhojnë 5.2 MWH energji të rinovueshme, që do të jetë për nevojat e aeroportit./ata