Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) tha se rreth 60,000 deri në 70,000 njerëz janë detyruar të largohen nga qyteti jugor i Gazës drejt al-Mawasi që nga dje.
“Zhvendosja vazhdon për mijëra familje në të gjithë Gazën”, tha UNRWA në një postim në X. “Njerëzit në Gaza janë të rraskapitur dhe nuk kanë ku të shkojnë.”
Ndërkohë një zëdhënës i Antonio Guterres thotë se shefi i OKB-së do të mirëpriste “çdo lëvizje që i afron palët më pranë një armëpushimi”.
Komentet e Florencia Soto Nino në Nju Jork vijnë vetëm disa orë pasi SHBA, Katari dhe Egjipti i bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit që të kthehen në bisedimet e armëpushimit javën e ardhshme.
“Ne kemi folur për të për muaj e muaj dhe çdo gjë që punon drejt këtij qëllimi është shumë e mirëpritur,” tha ajo.
“Ne kemi bërë thirrje për bisedime dhe negociata mbi përshkallëzimin dhe mendoj se situata aktuale humanitare në Gaza… e bën atë edhe më kritike.”/EuroNews