Ka shkelur skenat prestigjioze të botës, dikur as që i shkonte mendja të bëhej këngëtar operash, nëna e tij jo vetëm që e shtyu, por vetëm dy ditë para provimit u përgatit dhe doli i pari në listë. Sot Murat Karahan është në krye të listës si tenor në Turqi, ftesa e kolegut të tij Rame Lahaj e solli për herë të parë në Kosovë ku thotë se e ndien veten si në vendin e tij. Kujton se si pyetja e një zotërie të panjohur deri atëherë ia ndryshoi karrierën, thotë se nuk ka derë që s’mund ta hapë arti. Në intervistën për KOHË-n, Karahan flet edhe për politikën, për artistin pa identitet. Ka një definicion të prerë për operën që “është art shumë i pasur, por s’është arti i të pasurve”.

Nga Stambolli, në Itali, Austri, Gjermani, vendet baltike e në Rusi. Zëri buçitës i tenorit turk, Murat Karahan, ka jehuar për gati dy dekada në shtëpitë më prestigjioze operistike të botës. Radha i erdhi edhe Kosovës javën e kaluar në mbrëmjen gala të edicionit të katërt të “Rame Lahaj International Opera Festival”, i ftuar nga vetë tenori Lahaj me të cilin ka një lidhje që e kalon miqësinë. E quan vëlla. Në një intervistë për KOHË-n ai ka shpalosur rrugëtimin e tij, i cili thuret nga vite të shumta eksperience. Edhe pse në Kosovë vjen për herë të parë, ndjesinë që ia dhuroi, e bëri atë të ndihej si në shtëpi, lidhjet historike midis dy vendeve duket t’i ketë evidentuar teksa synon që të rikthehet bashkë me familjen e tij, e t’i bjerë Kosovës rreth e përqark. 

“Opera është art shumë i pasur, por s’është arti i të pasurve”, thotë Karahan, i cili synim e ka të përçojë mesazhe uniteti nëpërmjet artit operistik.

Zoti Karahan, karriera juaj e bujshme Ju ka çuar në shumë skena prestigjioze nëpër botë, por përse u desh kaq shumë kohë që të vinit këtu? Çfarë rëndësie ka për Ju performimi në Kosovë?

Karahan: Përse! Në fakt le të themi që mbase nuk ka qëlluar që të vij këtu deri më tani. Me Ramen njihemi prej kohësh, tash e më shumë se dhjetë vjet jemi miq, jemi si vëllezër. E kam ftuar në shumë koncerte në Turqi, kemi qenë bashkë në dy, tri koncerte, e duan shumë atje, pastaj kur më tha që do të më ftojë në Kosovë, ishte kënaqësi për mua. Është një vend që kam dashur ta shoh tash e sa kohë, kam pasur kureshtje për këtë vend dhe kështu tani kur erdha dhe e pashë u lumturova shumë, kalova shumë kohë të mirë, njerëzit janë shumë të mrekullueshëm, shumë të ngrohtë, e kanë energjinë pozitive në nivel shumë të lartë, të gjithë njerëzit këtu të ndihmojnë. Pastaj orkestra është shumë e re por shumë e talentuar, i kam parë me sy e vesh hapur gjatë provave në pritje që të dëgjojnë çfarëdo që u thotë dirigjenti dhe ne. Edhe energjia e tyre është e mrekullueshme. Kishte nga ta që flisnin edhe turqisht, më pëlqeu shumë fakti që kisha mundësi të flisja me ta pak në turqisht. Jam kënaqur shumë, sikur të kisha ardhur më parë. Po ndihem si në shtëpi, si në Turqi.

Duke pasur parasysh lidhjet komplekse historike midis dikur Perandorisë Osmane, Turqisë dhe këtyre anëve, si ka ndikuar kjo në perspektivën tuaj për Kosovën?

Karahan: Në Turqi ka shumë njerëz që kanë migruar nga kjo hapësirë, madje babai i gjyshes sime është i ardhur nga Selaniku. Me patjetër në gati çdo familje është dikush që ka migruar për atje nga këto vende. Normalisht, kemi të bëjmë me një vend që dikur ka qenë pjesë e tokave osmane, natyrisht që ka pasur dhe shumë ndërveprim kulturor. Për këtë arsye, i numërova edhe në konferencën për media ato ushqimet qoftet, trileçen, tavën e Elbasanit, pastaj byrekun e këtushëm që është tjetër nivel. Madje një mik imi që quhet Hıfzı Kuruşa, do të vijë ta përcjellë koncertin nga Ankaraja dhe edhe familja e tij ka migruar në Turqi po ashtu. Një gjë tjetër që më lumturoi ishte fakti se banorët e komunitetit turk këtu kanë pasur mundësinë të ruajnë gjuhën e tyre, dhe fakti që ende flitet është shumë gjë e mirë, u gëzova shumë, pastaj shiko edhe me ty po flas në turqisht!

“Nuk ka derë që s’e hap arti”

Si e shihni rolin forcën e vetë muzikës në mirëmbajtjen e këtyre raporteve?

Karahan: Kjo nuk është vetëm forca e muzikës, është forca e artit, kësaj lloj force i thonë “soft power”, pra forcë e butë dhe me këtë forcë të butë, me fuqinë e artit, nuk ka vend që nuk mund të arrish e derë që nuk mund të hapet. Andaj, kur ju e praktikoni artin në mënyrë të duhur dhe universale, kur arrini të ndikoni te njerëzit, atëherë që në atë moment, feja, raca, prejardhja, mbesin në plan të dytë. Njerëzve u intereson vetëm ai person, arti që e bën, t’i largon të gjitha xhaketat, të sheh vetëm si ai personi që po performon aty. E kur ta arrini këtë shkallë nuk ka vend dhe derë që nuk e hapet dot. Për shembull unë qe 15 vjet në çdo teatër të rëndësishëm në Evropë kam marrë pjesë si një turk mysliman, njëjtë edhe Rame si një kosovar nga Kosova ka marrë pjesë në shumë teatro të mëdha. Por kur e bëni profesionin tuaj mirë, çdo pengese tjetër para, shembet.

Kemi parë që këto ditë keni pasur mundësinë të shëtisnit pak nëpër Kosovë. Takuat Ministrin e Kulturës, ishit në Prizren, si Ju pritën njerëzit këtu?

Karahan: Kisha një kohë të shkurtër në dispozicion, menjëherë shkova për një orë në Prizren. Aty më pritën me ngrohtësi konsullata turke, zotëri Xhelal, pastaj e shëtita qendrën e qytetit pak, hëngra qofte, ëmbëlsirë... Një vend shumë i bukur, e kishte ruajtur atë prekjen historike, atë bukurinë e lezetshme, njerëzit plot gjallëri, ambienti po ashtu. U kënaqa tej mase, më ngeli brenda disi dhe shpresoj të kthehem sërish shumë shpejt, ta shëtis Kosovën dalëngadalë, ta shijoj në maksimum.

Le të kthehemi të arsyeja kryesore që Ju jeni këtu. Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj. Si përfunduat në një koncert këtu?

Karahan: Kur më ftoi Rame, u gëzova shumë, është një tenor i çmuar dhe kemi qenë së bashku në koncerte të tjera me tre tenorë. Si me Marcelo Alvarez, Ramon Vargas, këtë radhë jemi me Charles, edhe ai ka një super energji, pastaj me maestron Sascha Goetzel, e njoh prej kohësh, ka një karrierë shumë të rëndësishme. Jemi bërë një ekip shumë i mirë.

Përmendët që nuk është hera e parë që performoni me Rame Lahaj. Si ishte koncerti në janar të këtij viti në Ankara? Na tregoni diçka rreth asaj përvoje.

Karahan: Ka qenë një eksperiencë e pabesueshme, në fakt me Ramen kemi bërë të njëjtin koncert në tre vende: Ankara, Stamboll dhe Izmir, dhe që të tre ishin për mrekulli, jemi kënaqur shumë, shikuesit kishin reagime shumë të mira... Në Ankara salla ishte mbushur me 3000 veta, në Stamboll 2500, të gjitha biletat ishin shitur. Edhe aty kemi hequr me biletat, këtu së paku pasi që është koncerti në ambient të hapur, njerëzit mund të ulen dhe përreth të ndjekin koncertin edhe pa bileta. Kemi edhe një duet me Ramen që kemi performuar në këto koncerte...

Do të ndalemi pikërisht këtu. Ju performuat në kuadër të koncerteve në Ankara, Stamboll e Izmir një këngë të famshme azerbajxhanase “Senede qalmaz”, ndërkaq Rame po të njëjtën këngë por, në versionin shqip “Shkodra ka plot dashuri”. Si arritët ta gjeni këtë xhevahir, ta bëni pjesë të repertorit?

Karahan: Ishim me Ramen në një koncert në Riga të Letonisë dhe unë derisa po ushtroja zërin me këtë këngë erdhi ai dhe më thotë: ‘Kjo është këngë e jona, është në shqip!’ Unë ia ktheva që jo kjo është këngë në turqisht. Në fakt është një këngë e Azerbajxhanit, atje u thonë “mahni” këngëve, pra është një “mahni” azerbajxhanase. Meqë turqishtja që përdorim ne dhe ajo e Azerbajxhanit janë shumë të përafërta, unë e këndoj në atë gjuhë, pastaj besoj kjo melodi ka ardhur nga atje deri këtu, janë shkruar fjalët në shqip, është bërë e njohur edhe këtu. E interpretojmë gati në çdo koncert që jemi bashkë, Rame e fillon në shqip, unë e përfundoj në turqisht, u pëlqen shumë njerëzve. Në fakt kemi plan që me Ramen këtë ta kthejmë në një singel apo dhe në një album.

Pyetja e një zotërie dhe kthesa në karrierë

Tani le të flasim pak për karrierën tuaj të pasur. A mund të përmendni ndonjë moment kthese që ka shënuar rrugëtimin tuaj?

Karahan: Në vitin 2003 kam dalë në skenën operistike në vendin tim, pastaj për dy, tre vjet derisa vazhdonte karriera ime në Turqi, vazhdova në “Academia Santa Cecilia”, ku mora pjesë në masterklasa. Fillimisht te Renata Scotto, soprano e njohur të cilën e kemi humbur së fundmi, i qoftë dheu i lehtë si dhe kam qenë nxënës i Bruno Callit, ka qenë drejtues i “Academia Santa Cecilia”, një muzikolog legjendar ndjesë pastë edhe ai. Kështu kam punuar me ta dhe në atë pikë zgjerova njohuritë akademike sa i përket operës, gjuha, interpretimi, të gjitha teknikat dhe momenti kur kam qenë gati ka qenë viti 2011. Në Festivalin e Operës në Stamboll, po interpretoja Rossinin me “Maometto II”, kur përfundoi, erdhi një zotëri i gjatë, i pashëm dhe më tha: “A e di operën ‘Lucia di Lammermoor?’” I thash që po, më tha: “A di ta këndosh?” Kishte qenë drejtori artistik i shtëpisë së operës në Riga, Andrejs Žagars. Dhe pastaj pikërisht në vitin 2012 në Riga e fillova karrierën evropiane, dhe pas asaj shumë shpejt vazhdova për në Berlin, Vjenë, Itali, në Rusi në “Bolshoi”, “Staatsoper” në Berlin, “Arena di Verona”, San Carlo dhe kështu me radhë. Jam i lumtur që karriera ime arriti të zhvillohej kaq gjerësisht.

Si i qaseni një roli të ri? Na tregoni diçka rreth procesit përgatitor, duket një proces me përkushtim?

Karahan: Është një profesion shumë i vështirë. Ju këndoni një vepër në një gjuhë të huaj, bëhet fjalë për vepra që shtrihen në 150-200 faqe, duhet t’i mësoni ato të gjitha. Pastaj varësisht nga formacionet, por ju shpesh keni të bëni me orkestra rreth 100-anëtarëshe, këndoni pa mikrofon, duhet ta realizoni veprën para atyre. Por nuk ngelet me kaq, nëse ka dhe skena diku duhet të putheni, diku duhet të luftoni, të gjitha këto jeni të obliguar t’i realizoni pa gabime. Është vërtet e vështirë, duhet të mbani shëndetin mirë, ushqimin, nuk konsumojmë duhan e as alkool, duhet të kujdesemi për stilin e jetës. Për shembull në “Arena di Verona”, bëhet fjalë për vapë të madhe që shkon në 40 gradë, ajri është shumë i lagësht, nuk e hap dot kondicionerin në shtëpi, sepse druhem se mos ftohem dhe e humbas zërin. Para disa vjetësh kam lexuar një artikull në “The Times” që listonte tri profesionet më stresuese në botë: I pari ishte minatori, i dyti neurokirurgu dhe profesioni i tretë këngëtari operistik, por keni vëmendjen, më stresuesi jo më i zorshmi.

A keni ndonjë kompozitor apo ndonjë rol që ju pëlqen ta luani më së shumti?

Karahan: Kompozitori që e dua më së shumti është Puccini, kur interpretoj vepra të tij, kënaqem. Tri operat që i dua më së shumti janë pikërisht nga ai. Numër një për mua është “Turandot”, e dyta “Tosca” dhe e treta “Manon Lescaut”.

Cilat janë influencat më të mëdha muzikore për ju? Në karrierën tuaj duket se një vend të veçantë e zë dhe muzika turke, posaçërisht ajo klasikja.

Karahan: Nëna ime ka pasur një zë shumë të mirë, babai im i ndjerë gjithashtu, motra ime, nipi, tani kam dhe një djalë dy vjeç e gjysmë, dhe ai e ka zërin shumë të mirë. Do të thotë kemi të bëjmë me diçka gjenetike. Që fëmijë kam kënduar ato lloj këngësh, i kam ditur përmendsh, i kam mësuar nga prindërit, këndoj edhe këngë popullore, Anadolli ka aq shumë këngë të bukura dhe janë pjesë e repertorit tim. Por që normalisht që kur karriera ime mori formën e një karriere operistike, ndryshova kahe, u përqendrova aty, në operë. Por nuk kam hequr dorë asnjëherë së kënduari meloditë e kulturës sime, nuk duhet të heqim dorë nga to. Kur e shihni edhe Placido Domingon, një person shumë i vlefshëm për mua, në të gjitha koncertet e tij këndon këngë popullore spanjolle. Pastaj këngët napolitane që këndojmë si “O sole mio”, ato janë këngë popullore italiane. Roberto Alagna kishte bërë vite më parë një album me këngë siciliane, në botë ka plot këngëtarë që i dalin zot muzikës së tyre autoktone, dhe unë e kam bërë këtë besoj. Mundohem që nëpërmjet orkestrave simfonike me shumë zëra t’u jap dimension tjetër këtyre këngëve. Të thyej paragjykimet për muzikën simfonike, dhe nga këto koncerte të miat kam marrë komente të tipit: ”Kemi ardhur në koncertin me këngët e Zeki Murenit, dhe pas 50 vjetësh kam filluar të dëgjoj opera”. Këtë mundohem ta bëj vazhdimisht.

“Artistët operistikë perceptohen sikur snobë me vetullën lartë”

Ai ka qenë vërtet një album i pëlqyer. Si erdhët deri tek ajo ide dhe si u prit? Në fakt ai artist njihet edhe në Kosovë.

Karahan: Me këtë album kemi filluar koncertet diku në vitin 2017, në Ankara dhe në Stamboll, por pastaj u rrit aq mirë, sa që nisëm një turne nëpër Turqi, në 12 krahina. Në Izmir, Ankara, Bursa, Antalya, Mersin, Diyarbakir, Trabzon, Eskisehir, shëtitëm nëpër gjithë këto vende dhe arritëm të performonim para 30 mijë vetave. Ishte një lumturi e papërshkrueshme, çdo koncert ishte “sold out”. Në sytë e njerëzve artistët operistikë perceptohen sikur snobë me vetullën lart, por në fakt jemi njerëz të thjeshtë dhe këndojmë muzikën tonë. Në fakt ka disa artistë të cilët e përulin disi muzikën popullore, por besoj që e bëjnë për shkak se nuk ia dalin ta këndojnë atë! [qesh]. Pastaj Zeki Muren është një artist i mrekullueshëm, me një zë kadife të mahnitshëm, ishte një njeri me shumë guxim. Në Turqi duhet nga të gjitha gjeneratat, këngët e tij i quajmë të pakoha, ato i di edhe një fëmijë 16-vjeçar, edhe ai 25-vjeçari, por edhe një 60-vjeçar, dhe pikërisht për këtë i kemi shndërruar në album. Ende ka kërkesa që të rikthehet ai koncert, ndoshta rikthehemi, ndoshta rikthehemi këtu në Kosovë me të.

Na flisni diçka për historinë e operës në Turqi, duhet ta pranojmë që nuk dihet shumë për të. Së paku në këto anë...

Karahan: Në fakt Turqia ka një histori më të vjetër seç mendohet kur vjen fjala te opera. Fillimisht në fund të Perandorisë Osmane, në fundin e viteve 1800 dhe në fillim të 1900-ve kishte shumë trupa operistike që vinin atje për të performuar, por natyrisht për qarqet e sarajeve, sepse ky lloj arti nuk ishte i qasshëm për masën atëherë. Pastaj kur Ataturku kishte qenë ende vetëm një atashe ushtarak, kishte shkuar në Bullgari për të ndjekur operën “Tosca” dhe i kishte thënë një miku të afërt: “Shpresoj që edhe në vendin tim të themelohet opera”. Mandej kur e kishte vizituar Shahu i Iranit Turqinë, ishte kompozuar një operë nga kompozitori Adnan Saygun, opera “Őzsoy”, dhe kështu vihen dhe themelet e para. Por zyrtarisht në mënyrë aktive opera në Turqi ekziston që prej vitit 1948. Tani në Turqi në gjashtë qytete ka Shtëpi të Operës dhe Baletit. Shumë shtete të botës, sidomos në zonat tona kanë vetëm nga një, më duket se Greqia ka vetëm një... Për këtë arsye edhe shikuesi ka qenë gjithmonë i pranishëm në numër të madh në opera në Turqi.

Të kalojmë tani te puna juaj institucionale si drejtues i Operës dhe Baletit Shtetëror në Turqi gjatë viteve 2018-2023. Çfarë eksperience ishte ajo?

Karahan: Kur bëhesh drejtor i përgjithshëm i Operës në Ankara, viheni në krye të të gjashtave, pastaj ato secila kanë drejtorët e vet, por ju jeni në majë dhe keni përgjegjësinë për drejtimin dhe kahen që u jepni atyre. Deri sot jam munduar që aty t’i derdh të gjitha përvojat e mia që i kam përjetuar përgjatë viteve, jam munduar të ngre standardet mbi të cilat vepron ai institucion. Pastaj fakti që në Teatrin Bolshoi në Rusi është për herë të parë një operë turke, pastaj numri i vizitorëve thyen rekorde çdo vit, vetë imazhi i Operës dhe Baletit te publiku është zgjeruar, këto kanë qenë të gjitha detaje të rëndësishme për ne. Gjatë mandatit tim kemi arritur që t’i bëjmë pjesë të trupës 1000 artistë, kjo është një lumturi e veçantë për mua. Por natyrisht për një të ardhme të ndritur të operës duhet punuar sistematikisht. Pastaj është dashur që të sakrifikoj nga karriera ime gjatë kësaj periudhe, natyrisht pasi që nuk është e lehtë të punosh në të dyja anët, por në fund kjo mundësi nganjëherë del të jetë më e rëndësishme se karriera personale, dhe jam i lumtur që e kam bërë.

Mësimi dy ditë para provimit dhe i pari në listë

Zoti Karahan, udhëtimi Juaj me muzikën është goxha i veçantë. Sidomos kur kuptojmë se si në fakt kjo nuk kishte qenë dëshira juaj krejt në fillim, në fakt nëna juaj kishte qenë oguri i kësaj karriere dhe shtysa kryesore.

Karahan: Nëna ime është përgjegjësja e vetme në këtë çështje. Zërin e kam pasur shumë të bukur, por kurrë as në mendje s’e kam pasur të bëhesha këngëtar operash. Siç thashë dhe më herët, edhe prindërit kanë pasur zë të bukur, por nëna vinte nga një familje politikanësh, babai nga një familje tregtarësh dhe asnjëri nuk u drejtua nga muzika, sepse besoj që nuk e kishin ndërmend të nxirrnin një këngëtar. Por nëna ime gjithmonë pastaj më thoshte do të bëhesh pishman dhe me zor më futi në provimin për konservatorin e muzikës. Ashtu nisa të mësoj për provim vetëm dy ditë para provimit, por dola i pari në listë. Pastaj pak më vonë mu dha një rol, dhe që atëherë thash me vete që ky do të jetë profesioni im. Interesimi i publikut, mbështetja e tyre më bënë që të them po këtë do ta bëj. Pastaj ika në Santa Cecilia dhe fillova të punoj në një nivel më të lartë, por definitivisht mund të them që nëna ime është arsyeja që sot jam këtu ku jam.

Padyshim që duket sikur një angazhim i madh. Por a keni pasur sfida përgjatë këtij rrugëtimi?

Karahan: Kjo nuk vlen vetëm për artistët. Çfarëdo pune që bëni, sikur një gazetar, apo dikush që punon në hotel, apo në një market, duhet të punojë shumë. Pa punuar fort e pa bërë sakrifica nuk bëhet karrierë e tillë, ose nëse e arrin atë, do të shuhet shumë shpejt. Unë kam sakrifikuar shumë, kam punuar shumë. Derisa miqtë e mi shëtisnin e kënaqeshin, unë punoja. Kur kam hyrë në Opera, me paratë që merrja kam shkuar në Itali të studioja, natyrisht me mbështetje nga prindërit sepse nuk mjaftonin ato, por dua të them që investova në vet. Për shembull në “Bolshoi” në Moskë kam pasur më shumë se 50 paraqitje prej vitit 2012 deri në vitin 2015, por nëse më pyesni për vetëm një emër të ndonjë klubi nate nuk mund t’jua them, nuk e di asnjë. Kam pasur një itinerar, hotel, Operë, sepse po deshët të bëni punë cilësore duhet të koncentroheni në të.

“Arti duhet të jetë gjithnjë një hap para politikës”

Përmendët që keni qenë mjaft aktiv edhe në Rusi. Si e shihni ju situatën aktuale politike globale, në veçanti bojkotin e Rusisë dhe Izraelit për shkak të luftërave? Ku mendoni se duhet të pozicionohet artisti kur politika është e paevitueshme?

Karahan: Unë gjithmonë e them një gjë. Arti duhet të jetë gjithnjë një hap para politikës, arti dhe politika nuk duhet të përzihen, as sporti madje. Por normalisht në rast se një artist në mënyrë të qëllimshme dhe të drejtpërdrejtë mbështet diçka të gabuar, normalisht mund të reagohet për një rast të tillë. Por kur kombësia bëhet e vetmja arsye që të bojkotohet një artist, nuk mendoj që është në rregull, sepse artisti në momentin që del në skenë është pa identitet, është artist i gjithsecilit, i çdo gjuhe, i çdo besimi, pra kur del në skenë besoj që duhet të harrohet identiteti.

Cila është qasja juaj kur bëhet fjalë për vetë rolin dhe rëndësinë e operës në shoqëri, ku e shihni ndikimin e saj?

Karahan: Pyetje e bukur. Opera në fakt është arti i popullit. Por gjatë historisë në një mënyrë është krijuar përshtypja e një imazhi sikur është i shkëputur nga populli, në fakt kemi të bëjmë me një gjë e cila vjen nga populli, për ta shikuar populli. Gjithmonë e them këtë: opera është një art shumë i pasur, por nuk është arti i të pasurve, është vetë i pasur, mos e harro këtë thënie. Njerëzit mendojnë shpesh se është art i aristokracisë, jo, është i popullit i gjithsecilit, sepse është arti më i pasur në botë. Në një natë ka letërsi, poezi, vallëzim, muzikë, këndim, dekor, kostume, drita, piktura, skulptura, çfarëdo që kërkoni i gjeni në një natë në skenë, nuk ka një degë të tillë të dytë arti në botë.

Meqë jemi krejt në fund a mund të ndani përshtypjet e Juaja për Kosovën? A keni ndonjë mesazh?

Karahan: Për shkak të profesionit tim më bie të udhëtoj shumë, jam vazhdimisht në vende të ndryshme, por qëkur erdha këtu në ditën e parë pashë një energji pozitive të pabesueshme dhe një rrezatim nëpër fytyrat e njerëzve. Ju lutem që të mos e humbisni këtë. Po e përjetoj këtë çdo moment, në rrugë, në restorante, në kafene, duke folur këtu me ty, për shembull tani që po flasim dhe kameramani atje prapa kur flet me mua buzëqesh, shpresoj që këtë mos ta humbisni. Ne ju duam shumë si shtet, domethënë si Turqi, jeni shtet vëllazëror. Në Turqi ka shumë futbollistë të rëndësishëm nga këtu, Vedat Muriqi u bë i famshëm nga të rinjtë e “Fenerbahçes” pastaj shkoi në Spanjë, pastaj Rashica në “Beshiktash” pra kemi lidhje shumë të vlefshme, lidhje historike dhe shpresoj të vazhdojnë. Më pëlqeu shumë Kosova, do ta marr familjen dhe do të vij sërish. /Koha.net/