Dhjetëra palestinezë, prej të cilëve 24 në qytetin Khan Younis kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmet ajrore që ushtria izraelite kreu në zona të ndryshme të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite kreu sulme të shumta ajrore në veri, pjesën qendrore dhe në jug të Gazës.
Sipas informacioneve të marra nga burime shëndetësore në Gaza, 6 palestinezë vdiqën në sulmin e kryer pranë xhamisë Badr në lagjen Al-Zaitoun në juglindje të qytetit, ndërsa 2 palestinezë humbën jetën në sulmin e kryer në një shtëpi në rrugën Abu Hasira.
Në sulmin e kryer ndaj kampit të refugjatëve Al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, humbën jetën 2 persona, ndërsa u plagosën 7 palestinezë përfshirë 4 fëmijë.
Gjithashtu humbi jetën një i ri i cili u plagos në veriperëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës dhe i cili po trajtohej në spitalin Dëshmorët e Aksasë në qytetin Deir Al-Balah.
Ndërsa në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, 24 palestinezë humbën jetën nga sulmet ajrore të ushtrisë izraelite./aa