Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka bërë thirrje për dialog me Qeverinë e Kosovës në të kundërtën ata mund te vendosin për veprime sindikale.

Ymer Ymeri nga SBASHK-u ka thënë se kërkesa e mësimdhënësve është ngritja e vlerës së koeficientit dhe ndryshimi i aneks-kontratës kolektive të arsimit.

“Nëse kërkesat e mësimdhënësve nuk merren parasysh dhe Qeveria nuk shpreh gatishmërinë për dialog, mund të ketë veprime sindikale, por jo në fillim të vitit shkollor por pasi të fillojë viti shkollor”, ka thënë Ymeri në një intervistë për Kosova Press.

Sa i përket vendimit të Ministrisë së Arsimit për subvencionimin e teksteve shkollore, Ymeri konsideron se prindërit do të ballafaqohen me pengesa.

“Ata të cilët nuk e kanë nënshtetësinë e Kosovës por kanë leje-qëndrim të përkohshëm në Kosovë, qoftë qytetarë të Maqedonisë, Kosovës Lindore apo edhe të Shqipërisë, nuk mund të kenë adresë në e-Kosova. E njëjta vlen edhe për libra, në qoftë se prindërit e një fëmije i cili është duke zhvilluar mësimin në Kosovë janë qytetarë të Shqipërisë apo të Maqedonisë, ata nuk do të kenë mundësinë të aplikojnë përmes e-Kosova për të marrë librat”, shton ai./Albanianpost