Fqinji i Mimoza Pajës, gruas që u vra aksidentalisht, në atentatin e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në “Don Bosko”, ka dhënë një prononcim për media, ku është shprehur se 58-vjeçarja punonte për të siguruar bukën e gojës si banakiere në lokalin që u bë shënjestër e atentatit.

 

“Hallexheshë, punonte për copën e bukës. Ka pasur vetëm një vajzë, djali i jetonte diku tjetër me qira. Jetonte vetëm me gocën e vogël. Ajo ishte punëtore mbi të gjitha”, u shpreh fqinji i saj.

 

Ndër të tjera, fqinji, banesa e të cilit ndodhet afër me vendin e ngjarjes thotë se të shtënat janë dëgjuar edhe në famijen e tij, ndërsa shton se ju janë trembur fëmijët.

 

“Siguria është zero. Ne na janë trembur fëmijët mbrëmë. Me zor kemi vendosur fëmijët në gjumë mbrëmë.”

 

Lokali ku ndodhi atentati është në pronësi të Fatjon Muratit, një personazh i njohur i drejtësisë.

 

Mimoza Paja kishte disa ditë që kishte filluar punë si banakiere në lokal, ndërsa mbeti e vdekur në vend si pasojë e të shtënave.

 

Hetuesit e Policisë së Tiranës kanë deklaruar se Paja dyshohet të jetë vrarë aksidentalisht nga breshëria e armës dhe të mos ketë asnjë lidhje me ngjarjen.