Qeveria nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka financuar projektin e Bashkisë Divjakë për ngritjen e potencialeve turistike në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.
Me një fond prej 145 milionë lekësh (1.45 milionë euro) do të rehabilitohen 20 kilometra argjinaturë në lagunën e Karavastasë. Investimi që ka nisur të realizohet nga Kompania fituese e tenderit "Alba Konstruksion" do të përfundojë për 12 muaj. Në të gjithë gjatësinë e argjinaturës do të ketë ndriçim, korsi të dedikuar për këmbësorë dhe biçikleta, gjelbërim vende atraktive buzë lagunës.
Kryetari i bashkisë së Divjakës Josif Gorreja, tha për Report tv se pjesë e projektit janë sistemi i tokave bujqësore, rritja e aktivitetit te peshkimit në lagunë.
“Sot fillon puna për argjinaturën mbrojtëse të lagunës dhe tokave. Pra qëllimi kryesor është të mbrohet laguna, të disiplinohen ujërat e tepërta. Po kështu kjo argjinaturë do kthehet në shëtitore 20 km nga këtu ku jemi deri në Adriatik. E gjithë shëtitorja do të jetë e ndriçuar dhe me pemë. Po kështu do ketë vend të veçantë për peshkimin me grep”, thekson Gorreja.
Parku Kombëtar Divjakë- Karavasta në këtë sezon veror ka një numër të shtuar vizitorësh. Sipas të dhënave nga sporteli i Kulles dhe flotes së varkave, gjatë muajit korrik dhe gjysmës së parë të gushtit, parkun e vizituan 67 mijë persona, duke zënë 37% të vizitorëve në parqet kombëtare në rang vendi. Ndërsa me përfundimin e investimit synohet kthimi i Parkut në një nivel më të avancuar turizmi./Shqiptarja