Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka dorëzuar një kërkesë padi në Gjykatën kushtetuese ku kërkon shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar një vit më parë i cili përcaktonte çmimet e reja të referencës për shitblerjen e njësive të banimit në Tiranë.

Konkretisht, kërkesë padia ka si objekt shfuqizimin  e vendimit nr. 457 datë 26.07.2023, “ Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar””.

Në këtë vendim kërkohet shfuqizimi i pikës dhe të ankesit 2 ku thuhet se “Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK”.

Si dhe në pjesën që ka emërtuar të përcaktojë në Aneksin 1, pika a.2) “ se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi” si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në këtë pikë ndërtuesit kërkojnë që çmimet e reja të referencës të miratuara një vit më parë, të mos prekin ato leje ndërtimi që janë dhënë para hyrjes në fuqi të vendimit. Po ashtu kërkohet  pezullimi i këtyre dy pikave deri në momentin e marrjes dhe hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë seancën për këtë kërkesë padi më datën 13 shtator.

Sipas ndërtuesve, miratimi i çmimeve të reja të referencës në kryeqytet solli dhe një rritje direkte të çmimit të shitjes së pronave nga 200-300 euro për metër katror për shkak të kostove më të larta që duhej të paguanin ndërtuesit, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë./Tema