Zëdhënësi i Njësisë së Mbrojtjes Civile në Gaza, Mahmoud Basal, bëri të ditur se 39 palestinezë kanë humbur jetën në sulmet që ushtria izraelite ka vazhduar që nga nata kundrejt Rripit të Gazës.
Në një deklaratë me shkrim, Basal njoftoi se një sulm me dronë u krye ndaj një shtëpie në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës.
Në sulmin në fjalë humbën jetën 5 civilë dhe u plagosën disa të tjerë, informoi Basal, duke shtuar se të paktën 3 palestinezë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror që kishte në shënjestër një tjetër shtëpi në lindje të qytezës Khan Younis.
Edhe dëshmitarët kanë ndarë informacionin se njësitë e artilerisë izraelite kanë vazhduar sulmet e tyre gjatë natës ndaj qytezës Khan Younis.
Dëshmitarët theksuan se 9 persona kanë vdekur si pasojë e sulmeve izraelite dhe se njerëzit janë detyruar të migrojnë nga rajoni lindor i qytezës.
Sipas informacionit që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet spitalore, 5 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të një automjeti në rajonin Al-Zawajide në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në sulmin ajror të kryer ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Nusseirat, mësohet se kanë humbur jetën dy persona, përfshirë një grua, ndërsa ka pasur edhe të plagosur.
Gjithashtu të paktën 9 persona, përfshirë një fëmijë, kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin e kryer me dron ndaj qytetarëve që u mblodhën në qytezën Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Edhe në qytetin e Gazës në veri, avionë luftarakë bombarduan një shtëpi ku jetonin civilë. Burimet spitalore njoftuan se në sulmin në fjalë humbi jetën një person dhe u plagosën 2 të tjerë.
Po ashtu 5 palestinezë humbën jetën në sulmin ajror ndaj një shtëpie që i përkiste familjes Ziyade në kampin e refugjatëve Jabalia.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 e deri më tani janë vrarë 40.534 palestinezë, përfshirë të paktën 16.589 fëmijë dhe 10.980 gra ndërsa janë plagosur 93.778 të tjerë.
Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku strehohet popullata./aa