Ushtria izraelite është në prag të “fundosjes në baltën e Gazës”, tha sot e përditshmja izraelite Maariv.

“Në këtë gusht të zi, rreth 15 ushtarë izraelitë u vranë në betejat në Gaza dhe në veri (me Libanin) dhe ky është çmimi i një lufte rrëzimi”, shkruan e përditshmja.

“Gushti do të mbahet mend si një nga muajt më të përgjakshëm”, vazhdoi Maariv.

Ajo shtoi më tej se Izraeli “insiston në ruajtjen e Korridorit të Filadelfit dhe Pasazhit Netzarim në emër të sigurisë, dhe kjo është aktualisht pika kryesore e mosmarrëveshjes në negociata”.

Për muaj të tërë, SHBA-ja, Katari dhe Egjipti janë përpjekur të arrijnë një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit për të siguruar një shkëmbim të burgosurish dhe një armëpushim dhe për të lejuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza. Por përpjekjet e ndërmjetësimit kanë ngecur për shkak të refuzimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahut për të përmbushur kërkesat e Hamasit për të ndaluar luftën.

“Brenda pak javësh, stinët do të ndryshojnë dhe shiu do të vijë. Përpara se të zhytemi në moçal, le të ndalemi një moment...dhe të shqyrtojmë me të vërtetë alternativat e sigurisë për të mbyllur negociatat, lirimin e pengjeve dhe ndërprerjen e zjarrit”, shtoi gazeta.

Sipas shifrave së ushtrisë, të paktën 703 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i luftës më 7 tetor, duke përfshirë 339 në betejat tokësore në Rripin e Gazës që filluan më 27 tetor.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Sulmi ka rezultuar në më shumë se 40.600 të vrarë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 93.800 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.


Bllokada e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet brutale e kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./aa