Ushtria izraelite tha sot se ka përfunduar operacionet e saj ushtarake në zonat e qyteteve Khan Yunis dhe Deir al-Balah në jug të Rripit të Gazës.

Në një deklaratë të ushtrisë thuhet se "trupat e Divizionit 98 kanë përfunduar misionin e tyre në jug të Rripit të Gazës dhe po përgatiten për misione të mëtejshme".

Ajo shtoi se ushtria përfundoi operacionet e saj në këto zona "pas rreth një muaji aktiviteti të njëkohshëm operacional mbi dhe nëntokësor".

"Trupat eliminuan mbi 250 luftëtarë dhe shkatërruan dhjetëra infrastruktura të tyre", pohoi ushtria.

Në deklaratë thuhet se "Njësia Yahalom, së bashku me Brigadën e 7-të dhe Brigadën e Parashutistëve, gjetën dhe shkatërruan gjashtë rrugë tunelesh nëntokësore që shtriheshin rreth gjashtë kilometra".

"Brigada e 7-të operoi në zonat Khan Yunis dhe Deir al-Balah, ku gjetën armë, neutralizuan dhjetëra prita dhe shkatërruan komplekse luftarake", shtoi ajo.

Ushtria tha gjithashtu se banorët mund të kthehen në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të bllokut 89 dhe në lagjet Hamad, Al-Jalaa dhe Al-Qarara.

Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit kaluar, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm.

Sulmi ka rezultuar në mbi 40.600 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe mbi 93.800 të plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.

Bllokada e vazhdueshme e Rripit të Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa sulmet izraelite kanë lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha.

Izraeli përballet me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj./aa