Të paktën 10 palestinezë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet e kryera nga ushtria izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.
Në deklaratën me shkrim të Drejtorisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, thuhet se kanë humbur jetën 3 palestinezë të cilët ndodheshin në një automjet civil që u shënjestrua nga avionët luftarakë izraelitë rreth qendrës shëndetësore Al-Rimal në qytetin e Gazës.
Sipas informacioneve që burimet spitalore kanë dhënë për Anadolu-n, një mjet ajror pa pilot (dron) izraelit ka vënë në shënjestër një mjet të bashkisë së Gazës në rrugën Wehda në Gaza dhe ata që ndodheshin në mjet kanë humbur jetën.
Në anën tjetër, sipas lajmeve të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, 4 palestinezë kanë humbur jetën në sulmin që avionët luftarakë izraelitë kryen në kampin e refugjatëve al-Bureij në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.
Në lajm thuhet se një grup palestinezësh janë shënjestruar në një territor të hapur pranë rrugës Salah-al-din në Gaza dhe se të paktën një palestinez ka humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur.
Theksohet se të paktën 2 palestinezë kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e shënjestrimit të ndërtesës që i përket familjes al-Araj në rrugën al-Jala në veri të qytetit të Gazës./aa