Chidima Adetshina, një konkurrente në konkursine bukurisë, e cila u përball me një valë armiqësie në Afrikën e Jugut, pasi u ngritën pikëpyetje rreth kombësisë së saj, është kurorëzuar Miss Universe Nigeria.

Adetshina, 23 vjeç, triumfoi në konkursin e mbajtur në Lagos mbrëmjen e së shtunës. Ajo do të përfaqësojë Nigerinë në konkursin Miss Universe në Meksikë në nëntor.

Image

Muajin e kaluar, ajo u largua nga konkursi Miss Afrika e Jugut, pasi u bë objektiv i sulmeve ksenofobike në internet dhe më vonë pranoi një ftesë për të konkurruar në konkursin nigerian.

Shumë afrikano-jugorë kishin vënë në pikëpyetje kualifikimin e saj për të marrë pjesë në konkursin e vendit të tyre, pasi dolën raporte se ajo kishte lindur nga një baba nigerian dhe një nënë afrikano-jugore me rrënjë mozambike.

Organizatorët e Miss Universe Nigeria thanë në atë kohë se ftesa e Adetshina ishte "një mundësi për të përfaqësuar tokën e babait të saj në një skenë ndërkombëtare". Ata shtuan se "udhëtimi i saj në spektakël nuk ka përfunduar".

Duke shkruar në Instagram pas fitores së saj, Adetshina tha se ishte "një ëndërr e realizuar", duke e përshkruar kurorën si "jo vetëm një simbol të bukurisë", por "një thirrje për veprim" për një Afrikë të bashkuar.

“Ndërsa e pranoj këtë nder, dua të ndaj një vizion që digjet thellë brenda meje, një vizion të unitetit afrikan dhe bashkëjetesës paqësore!” ka shkruar ajo në një deklaratë në faqen e saj në Instagram.

 “Le të thyejmë barrierat që na ndajnë. Le të nxisim një kontinent ku çdo afrikan mund të lëvizë lirshëm pa paragjykime, të ndjekë ëndrrat e tij dhe të kontribuojë në rritjen dhe prosperitetin e kontinentit tonë të madh”, shtohet në deklaratë.

Autoritetet e Afrikës së Jugut thonë se po punojnë për të sqaruar statusin e shtetësisë së Adetshina-s,  pasi departamenti i Punëve të Brendshme të vendit, i cili mbikëqyr imigracionin, tha se nëna e saj mund të ketë kryer mashtrime identiteti për të marrë nënshtetësinë e Afrikës së Jugut më 2001./SyriNet