Gjatë muajit gusht administrata doganore ka mbledhur 21,4 miliardë lekë të ardhura, 100% të planit të periudhës. Ndërkohë, krahasuar me gushtin e vitit të kaluar janë 1,7 miliardë lekë më shumë në buxhet.
Në publikimin e këtyre shifrave, administrata doganore e ka konsideruar “rezultat fantastik” importin i mallrave të akcizës, ku theksohet ai i karburantit, që këtë muaj ka arritur shifrën 76,000 ton, një shifër e paimagjinueshme vetëm një vit më parë. Krahasuar me muajin gusht të vitit 2023 janë zhdoganuar më shumë rreth 7,000 ton karburant, 20 ton cigare, 1,000 ton birrë dhe 150 ton kafe.
Sa i përket periudhës 8-mujore janar-gusht janë realizuar 153,7 miliardë lekë, ose 101% e planit me një plus në buxhetin e shtetit prej 1,3 miliardë lekësh, megjithëse janë humbur vetëm nga kursi i këmbimit 13 miliardë lekë, ose rreth 150 mln USD. Krahasuar me 8-mujorin 2023 janë realizuar 11,2 miliardë lekë më shumë, ose 108,3%.
Në rritjen e të ardhurave kanë ndikuar mallrat e akcizës, që në këtë 8-mujor, sipas administratës doganore, kanë patur një “performancë të shkëlqyer”, duke dhënë rreth 27,000 ton karburant më shumë, rreth 30 ton cigare më shumë, rreth 200 ton kafe më shumë dhe 2,200 ton birrë më shumë.
Parë këtë ecuri në 8 muaj, administrata doganore synon të mbyllë të gjithë vitin me një rezultat historik sa i përket zhdoganimeve të mallrave të akcizës./Tema