Programi kombëtar i depistimit të skoliozës për fëmijët e moshës 6-10 vjeç është nisma më e fundit e ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, gjatë vizitës në kampin veror në Thumanë.

Koçiu ndau sot në rrjetet sociale fotoalbumin nga kampi veror në Thumanë, ku sjell momente të veçanta me fëmijët dhe lajmin e mirë për programin kombëtar të depistimit të skoliozës për fëmijët e moshës 6-10 vjeç.

Ministrja vlerësoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt një të ardhmeje të shëndetshme dhe aktive për fëmijët. “Përkujdesje dhe dashuri për çdo hap të tyre”, tha Koçiu.

Programi i depistimit do të nisë me fillimin e vitit të ri shkollor dhe konsiderohet një vlerë e shtuar për shëndetin e fëmijëve.

Me fokus të veçantë përkujdesjen ndaj fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ndërmarrë po ashtu edhe dy programe kombëtare depistimi në shkolla, siç janë ai për depistimin e shikimit dhe për kujdesin dentar./ata