Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tymit të cigares, krijon një sërë pasojash negative në organizëm dhe në paraqitje.
Pavarësisht kujdesit që tregoni ndaj vetes, tymi i cigares lë shenja të dallueshme në pamje të cilat janë vështirë për t’u riparuar. Më poshtë shihni sesi ndikon tymi i cigares në paraqitjen tuaj.
Ekspertët pajtohen që pirja e cigares përshpejton plakjen, kështu që cigarepirësit duken mesatarisht 1.4 vjet më të vjetër se jo-cigarepirësit. Pirja e cigares pengon furnizimin me gjak që e mban indin e lëkurës të duket i butë dhe i shëndetshëm.
Fytyrë pa shkëlqim
E keni vënë re se si lëkura e atyre që pijnë cigare, shpesh duket e lodhur? Një studim i vitit 1985 solli për herë të parë termin “fytyra e cigarepirësit” për të përshkruar disa karakteristika, siç janë rrudhat, dobësimi dhe një pamje gri e lëkurës, e shkaktuar nga pirja e cigares. Tymi i cigares përmban monoksid karboni, i cili zhvendos oksigjenin duke e lënë lëkurën të thatë dhe të zbardhur.
Flokë të hollë
Ekspertët mendojnë se toksinat që gjenden në tymin e cigares, mund të dëmtojnë ADN-në në gjendrat e flokëve dhe gjenerojnë radikalë të lirë që dëmtojnë gjithashtu edhe qelizat. Rezultati? Cigarepirësit kanë flokë më të hollë dhe kanë tendencë të kenë flokë të thinjur më herët se ata që nuk pinë cigare. Ndërkohë burrat që pinë cigare, kanë gati dy herë më shumë gjasa të humbasin flokët.
Duar të zverdhura
Pirja e cigares nuk zverdh vetëm dhëmbët apo muret e shtëpisë, por le shenja edhe në gishtërinjtë e thonjtë tuaj. Online mund të gjenden një sërë zgjidhjesh se si të kujdeseni për duart, por a nuk do të ishte më mirë dhe më lehtë sikur thjesht të shmangni konsumin e cigares për të pasur duar të bukura? /TopChannel