Regjizorja amerikano-hebraike, Sarah Friedland, fituese e çmimit “Luigi de Laurentiis” në Festivalin e Filmit në Venecia, e ka shfrytëzuar fjalimin e saj për të shprehur solidaritet me përpjekjet e palestinezëve për liri, si edhe për të kritikuar operacionet ushtarake izraelite në Gaza.

“Po e pranoj këtë çmim në ditën e 336-të të genocidit të Izraelit në Gaza dhe në vitin e 76-të të pushtimit,” u shpreh Friedland, ndërsa i nxiti pjesëmarrësit në festival të shfrytëzojnë platformat e tyre për të dënuar veprimet e shtetit izraelit.

Sarah Friedland konkurroi në Festivalin e Venecias me filmin e saj “Familiar Touch”. Filmi trajton historinë e një gruaje të moshuar, të cilës i duhet të përshtatet me jetesën në një azil të moshuarish, ndërsa përballet me humbjen e kujtesës, krizën e identitetit dhe një marrëdhënie konfliktuale me veten dhe kujdestarët.

Çmimi “ Luigi de Laurentiis” i jepet regjizorit ose regjizores debutuese më të mirë në Festivalin e Filmit në Venecia. Ai u themelua në vitin 1996 dhe u akordua për herë të parë në vitin 1999./Tema