Katër persona janë arrestuar mbrëmë në orët e vona në veri të Kosovës nën dyshimet se kanë sulmuar policinë e vendit.
Sipas mediave lokale, bazuar në deklarata nga Policia e Kosovës, personat kanë ofenduar dhe sulmuar policinë e Kosovës. Policia ka thënë se të arrestuarve u është bërë testi i alkoolit, gjatë të cilit tre prej tyre kanë rezultuar në gjendje alkoolike.
Ndërkohë, mediat serbe, duke cituar familjarë të të arrestuarve, raportojnë se "ndaj personave të arrestuar është përdorur dhunë". Policia e Kosovës i ka mohuar pretendimet, duke thënë se të dyshuarit kanë rezistuar dhe me këtë rast është përdorur forcë minimale që është e nevojshme gjatë mosbindjes ndaj urdhrit.
Reagim ka pasur edhe nga Serbia, ku kryeministri Millosh Vuçeviq tha se presioni ndaj serbëve të Kosovës vazhdon të rritet dita ditës. Duke thënë se procesi i dialogut me Prishtinën tani e tutje është çështje përgjegjësie, Vuçeviq ka deklaruar se Kosova po e bllokon procesin e dialogut me veprime të tilla.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, e cila ka pohuar se "serbët e Kosovës janë duke u shtypur dhe torturuar nga qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti"./aa