Edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj AniFestA’GJIRO, që do të mbahet në Gjirokastër nga data 23 – 26 shtator 2024, përkon këtë vit edhe me 50-vjetorin e zhanrit të filmit vizatimor shqiptar, i cili i pati fillesat e tij në vitin 1975 dhe u kthye menjëherë në një art shumë të dashur, jo vetëm nga fëmijët por edhe nga të rriturit.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përmes një postimi në rrjetet sociale u shpreh se ky është një edicion për të mos u humbur.

Data 26 shtator 2024 do t’i kushtohet retrospektivës së animacionit shqiptar me shfaqjen në Gjirokastër të filmave më të mirë të realizuar nga artistët shqiptarë të animacionit, falë bashkëpunimit të AQSHF-së dhe AniFest-it.

Drejtoresha e AQSHF-së, Marinela Ndria do të jetë, gjithashtu, pjesë e jurisë së edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Fëmijë dhe të Rinj AniFestA’GJIRO, ku do të shfaqen prurjet më të reja të këtij zhanri, nga e gjithë bota./ata