Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot se sektori i peshkimit ka njohur rritje vit pas viti dhe kjo ka ardhur si rrjedhojë e politikave dhe reformave të implementuar nga qeveria jonë, të cilat kanë dhënë efektet pozitive duke krijuar mjedisin mundësues që industria e peshkimit të njohë rritje vit pas viti.
Në fjalën e saj, gjatë diskutimit të projektligjit për disa ndryshime në ligjin “Për peshkimin”, Denaj informoi se gjatë vitit 2023 eksportet e produkteve të peshkimit arritën në vlerën 144 milionë euro ose 7 milionë euro më shumë se një vit më parë.
“Ndërkohë që në ujërat tona gjatë 8 mujorit të vitit 2024 u peshkuan 19 495 tonë, ose 1 696 tonë më shume se në të gjithë vitin 2023”, tha ajo.
Akuakultura, vuri në dukje ministrja, është një tjetër segment në industrinë e peshkimit në të cilën sot prodhohen 9 600 tonë produkte në vit, të gjitha të destinuara për eksport.
Ajo theksoi se të dhënat tregojnë se deri në vitin 2030 do të prodhohen 30 mijë tonë, ose e përkthyer në vlerë monetare me vlerën aktuale të tregut janë 200 milionë euro.
“Kjo nuk do të mund të ndodhte nëse ne nuk do ta kishim në fokus zhvillimin e këtij sektori”, deklaroi Denaj.
Denaj u shpreh e mendimit se sektori ka një potencial edhe më të madh zhvillimi ekonomik në 5 vitet e ardhshme, për shumë më tepër kontribut në rritjen e eksporteve dhe ekonominë familjare të 10 270 të angazhuarve drejtpërdrejt me këtë sector.
Ministrja theksoi se ndryshimet e propozuara në këtë projektligj sjellin një ndikim pozitiv në zhvillimin e sektorit, rritjen e peshës së tij në ekonominë e brendshme, dhe rritjen e eksporteve.
Ndër ndryshimet e propozuara janë lejet e peshkimit në dete të largëta.
“Sot flota jonë e peshkimit e cila përbëhet aktualisht nga 811 mjete lundruese operon në ujërat e detit Mesdhe. Me ndryshimet e bëra në këtë projektligj do të krijojë mundësitë për dhënien e lejeve të reja për peshkim përtej Mesdheut, dhe për të zhvilluar aktivitet peshkimi në dete të largëta. Në këto kushte anijet e peshkimit profesional, që sot janë diku te 230 dhe zotërohen nga 75 operatorë, duhet të jenë më të mëdha dhe të pajisura me teknologji moderne dhe më të avancuar”, tha ministrja.
Ndaj shtoi ajo, ky ndryshim do të lejojë hyrjen e anijeve të reja në flotë, konform standardeve dhe ligjeve të kërkuara duke respektuar dhe konventat ndërkombëtare, pa ndikuar në sforcimin e peshkimit në Mesdhe.
Denaj theksoi se ky aktivitet nuk prek në asnjë mënyrë peshkimin e vogël bregdetar atë që konsiderohet artizanal dhe që përbëhet nga pjesa më e madhe e operatorëve, të cilët sigurisht me nevojat e tyre për më shumë subvencion duhet edhe të rrisin formalizimin.
Një aspekt tjetër thelbësor i këtij projektligji është vendosja e sistemit automatik të identifikimit (AIS) në anijet e peshkimit që do të përfshihen në flotën e peshkimit në detet e hapura, pra me distancë të largët.
Ky projektligj synon të rrisë vëllimin e eksporteve të produkteve peshkore dhe të diversifikojë speciet e llojit të peshkut të zënë.
Rritja e sasive të zëna dhe diversifikimi i specieve do të rrisin shumëllojshmërinë e produkteve peshkore për tregun vendas dhe për industrinë përpunues, duke kontribuar në rritjen e eksporteve “Made in Albania”.
Sipas ministres, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit IPA janë investuar 6.5 milionë euro, në formën e grantit, 50% qeveria shqiptare dhe nga BE.
Shumë shpejt do të nisë zbatimi i një programi të gjerë investimesh përmes një kredie të butë nga qeveria italiane prej 25 milionë euro dedikuar vetëm investimeve në infrastrukturën për markatat e peshkut, si dhe 9 porte për peshkimin artizanal nga Velipoja e deri në bregdetin jugor krahas investimeve te tjera në portin e Durresit dhe Vlorës, i cili do të ndërtohet i ri në kushtet e planit të integruar./ata