Doktor Nurian Ohri është Kirug Onkolog i cili jeton dhe punon në Ankara. Dr, Ohri, me origjinë nga qyteti i Beratit, ka një eksperiencë të konsoliduar disa-vjeçare në fushën e kirurgjisë së përgjithshme, obezitetit dhe kirurgjisë onkologjike. Ai ka kryer shumë ndërhyrje kirurgjikale në disa nga spitalet më të mira në Turqi në bashkëpunim me profesorët më të njohur turq në këtë fushë.
A mund të na tregoni pak për përvojën tuaj si mjek në Ankara?
Unë ushtroj profesionin e mjekut në Ankara që prej 15 vitesh. Turqia ka një mjekësi të zhvilluar, me profesorë të aftë, ka shumë spitale dhe qendra mjekësore të shkëlqyera. Kam pasur rastin të punoj me disa nga mjekët më të mirë të fushës dhe kam mësuar shumë prej tyre.
Cili ka qenë aspekti më shpërblyes i karrierës suaj si kirurg onkolog?
Ka shumë aspekte shpërblyese në karrierën e një kirugu onkolog, por më e rëndësishmja për mua është mundësia që më jepet për të ndryshuar jetën e pacientëve të mij. Tumori, në varësi të stadit, mund të jetë një sëmundje shumë e vështirë dhe dërrmuese, prandaj është shumë e rëndësishme si doktor që të jem në gjendje të ofroj ndihmën e duhur, por edhe t’u jap sadopak shpresë dhe mbështetje pacientëve të mij dhe familjarëve të tyre. Është e mrekullueshme dhe mjaft shpërblyese të jesh në gjendje të kryesh operacionet dhe të shohësh ndikimin pozitiv që mund të kenë në shëndetin dhe cilësinë e jetës së pacientëve.
Me çfarë sfidash jeni përballur në karrierën tuaj dhe si i keni tejkaluar ato?
Një nga sfidat më të mëdha me të cilat jam përballur në karrierën time është përballja me ngarkesën emocionale që vjen nga puna në fushën e onkologjisë. Megjithatë, eksperienca më ka mësuar të gjej mënyra për t’u përballuar siç duhet me këto emocione. Kjo është e rëndësishme pasi ju duhet t’i gjendeni pacientëve tuaj edhe emocionalisht. Gjithashtu sigurohem që ta rrethoj veten me një sistem të fortë mbështetjeje, duke përfshirë kolegët, miqtë dhe familjen. Është e rëndësishme të kuptohet se megjithëse nuk mund t’i kontrollojmë gjithmonë rezultatet e rasteve, ne mund të kemi një ndikim pozitiv në jetën e pacientëve dhe familjeve të tyre duke ofruar kujdes dhe mbështetje me cilësi të lartë.
Një sfidë tjetër që kam hasur në karrierën time është natyra e shpejtë dhe kërkuese e fushës. Si kirurg, shpesh më duhet të punoj me orë të gjata dhe të përballem me situata me stres të lartë. Megjithatë fakti që punojmë në ekip dhe kemi aparatura moderne na bën të mundur marrjen përsipër të cdo lloj rasti dhe kjo të bën të punosh i qetë dhe të kesh besim tek puna që kryen.
Ju punoni shumë me pacientë që vijnë nga Shqipëria. A mund të na tregoni pak për përvojën tuaj me pacientët shqiptarë që vijnë për trajtim në Ankara?
Kemi shumë pacientë nga Shqipëria, ku shumica me raste komplekse po që kanë dalë me sukses. Përvoja në këtë fushë dhe njohja me shumë mjekë të fushave të ndryshme më ka lehtësuar edhe mua edhe pacientëve nga Shqipëria trajtimin e këtyre sëmundjeve. Si rrjedhojë, mund të marrim përsipër çdo rast sado i vështirë të jetë dhe falë një bashkëpunimi në grup, në një kohë të shkurtër mund të vendoset diagnoza dhe të caktohet trajtimi më i mirë për pacientin, qoftë operacion apo medikamente të çdo lloji. Një tjetër aspekt i punës është edhe ndjekja nga afër nga ana ime e pacientëve edhe në Shqipëri, pasi vij çdo muaj për konsulta dhe trajtime. Në raste më urgjente shumë pacientë më kontaktojnë direkt nëpërmjet telefonit.
Cili është procesi për përcaktimin e kursit më të mirë të trajtimit për një pacient që vendos të vijë në Ankara?
Në varësi të llojit të operacionit, ekipi i kirurgëve përfshin disa nga profesorët më të mirë turq në këtë fushë. Pas mbërritjes së pacientit në Ankara, rezultatet e imazherisë dhe konsultat për çdo skanim ose rezonancë të mëparshme jepen brenda një dite. Në rastet kur kirurgut i nevojitet të kuptojë përhapjen e sëmundjes, mund të kryhet një PET skaner për të sqaruar fazën dhe shkallën e sëmundjes. Rezultatet e biopsisë dalin brenda 24 ose 48 orëve, ndërsa biopsitë e sjella nga vetë pacienti mund të konsultohen me profesorët e patologjisë për një mendim të dytë. Në rastet kur është e nevojshme, vendoset port kateteri dhe bëhet trajtimi me kimioterapi ose rreze (radioterapi) nën kujdesin e doktorëve të kësaj fushe. Brenda një kohe të shkurtër, pacientit i jepet një rezultat rreth problemit shëndetësor që ka dhe i tregohet se cila është zgjidhja më e mirë për të. Më pas, vendimi merret bashkarisht me një transparencë të plotë duke vlerësuar me saktësi dobitë dhe efektet anësore që mund të ketë procedura.
Si ka evoluar fusha e onkologjisë gjatë karrierës suaj dhe si jeni përshtatur me këto ndryshime?
Fusha e onkologjisë ka pësuar përparime të rëndësishme vitet e fundit, me trajtime dhe teknologji të reja që zhvillohen gjatë gjithë kohës. Si mjekë, është e rëndësishme të qëndrojmë të përditësuar me zhvillimet më të fundit dhe të jemi të hapur për t’u përshtatur me qasjet dhe teknologjitë e reja. Kjo përfshin pjesëmarrjen në trajnime, konferenca, leximin e hulumtimeve më të fundit dhe mbajtjen e lidhjeve me kolegët dhe profesionistët e tjerë të fushës.
Si mund të të kontaktojnë ata që kanë nevojë për konsulta dhe këshilla, apo ata që dua të vijnë në Ankara për kontrolle dhe trajtime?
Ata që duan të më kontaktojmë mund të më gjejnë në faqen time zyrtare www.nurianohri.com ku mund të gjejnë edhe mënyrat e kontaktit si dhe informacion dhe artikuj rreth problemeve shëndetësore.
Intervistoi Enes Neza. – /tesheshi.com/