Mijëra njerëz të zemëruar me planin e presidentit Emanuel Macron për të rritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç, ju bashkuan një greve kombëtare të mërkurën.

 

Ndryshimi i propozuar kërkon që punonjësit të paguajnë më shumë në sistem, ndërsa u mohon një pension të plotë atyre që dalin në pension në moshën 64 vjeçare, pa punuar për 43 vjet.

 

Plani është promovuar si qendror për vizionin e Macron për ta bërë ekonominë franceze më konkurruese, por sindikatat kanë e kanë kundërshtuar dhe e kanë quajtur shtyrjen e moshës për pensionim si “mohim i demokracisë”.

 

“Si mund të detyrojnë një person që bën edhe turn nate të punojë për dy vite të tjera. Është e turpshme,” u shpreh një qytetare.

 

“Kam dalë në pension prej një viti e gjysmë. Por dy vitet e fundit në punën time si mami në spital, më janë dukur shumë të vështira e të lodhshme,” shprehet një tjetër.

 

Greva në Francë paralizoi transportin publik dhe solli ndërprerje në grumbullimin e plehrave, kurse protestuesit janë përplasur me policinë në disa qytete.

 

Komisioni i ligjvënësve, përgjegjës për avancimin e propozimit ka rënë dakord për tekstin përfundimtar dhe shumica konservatore e Senatit pritet ta miratojë atë që të enjten. Megjithatë, situata në Asamblenë Kombëtare është më e ndërlikuar, pasi aleanca e Macron humbi shumicën në zgjedhjet legjislative vitin e kaluar, duke e detyruar qeverinë të kërkoje votat e konservatorëve për të miratuar projektligjin.

 

Sfidat ekonomike kanë shkaktuar protesta masive edhe në shtete të tjera të Europës Perëndimore. Në Britani, stafi i mësuesve, mjekëve të rinj dhe transporti publik hyri në grevë për të kërkuar paga më të larta mes çmimeve në rritje.