Si pasojë e shpërthimit masiv të pajisjeve të komunikimit të njohura si ‘pager’ në mbarë Libanin, të paktën nëntë persona janë vrarë dhe afër 2.800 të tjerë janë plagosur.
Në një konferencë për media në Bejrut, ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Al-Abiad, tha se ndër personat e vrarë është edhe një fëmijë, ndërkohë 200 të plagosur mbeten në gjendje kritike për jetën.
Më herët, raportet e mediave lokale thanë se pajisjet shpërthyen pas një shkeljeje izraelite të sistemit të komunikimit. Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që zotërojnë pajisje komunikimi ‘pager’ që t’i asgjësojnë ato menjëherë.
Grupi libanez Hezbollah konfirmoi se dy anëtarë të grupit u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në shpërthimin masiv.
"Përafërsisht në orën 15:30, të martën, 17 shtator 2024, disa pajisje ‘pager’ të përdorura nga anëtarë të ndryshëm të njësive dhe institucioneve të Hezbollahut shpërthyen", njoftoi grupi.
Hezbollah nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e shpërthimeve apo të dyshuarit e mundshëm pas incidentit.
Nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga Izraeli për shpërthimet në Liban.
Më herët, Topaz Luk, një këshilltar i afërt i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në një postim në platformën sociale X la të kuptohet se Izraeli qëndron pas shpërthimeve të radio pajisjeve në të gjithë Libanin, pasi më vonë ai e fshiu postimin.
Megjithatë, zyra e Netanyahut lëshoi ​​një deklaratë duke e distancuar kryeministrin nga postimi i këshilltarit të tij.
Tensionet janë rritur përgjatë kufirit Liban-Izrael në mes të sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite derisa Tel Avivi po ecën përpara me një ofensivë kundër Gazës. Ofensiva ka vrarë të paktën 41.200 njerëz që nga tetori i kaluar pas një sulmi të Hamasit./aa