Qeveria miratoi sot Skemën Kombëtare të Investimeve në Ferma, një instrument mbështetës për të rritur, fuqizuar dhe modernizuar aktivitetin bujqësor të fermerëve dhe blegtorëve, si edhe peshkimin përmes akuakulturës.

Pas mbledhjes së qeverisë, në një deklaratë për mediat, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj tha se, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve në Ferma,  financojmë 50% të investimit grant në serra, blegtori e peshkim.

“Fermerët dhe subjektet përfitues të Skemës Kombëtare me 50% të investimit grant, do të jenë në fushën e serrave që sot kanë rritur sipërfaqet në 2 200 ha tokë, nga 1 mijë ha që ishte para 5 vitesh dhe kjo mbështetje do të rrisë investimet në këtë sektor me 250 ha sipërfaqe serra në vit, duke siguruar një produkt cilësor në zinxhirin ushqimor dhe eksporte në 83 tregje elitare”, tha ajo.

Denaj theksoi se, blegtoria është në fokus të mbështetjes së qeverisë.

“Blegtoria është mbështetur fuqishëm nga Skema Kombëtare 2024, me mbi 50 % të vlerës totale të subvencioneve për të ulur kostot në prodhim”, theksoi ministrja.

“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve në Ferma, do të financojmë 50% të investimit grant për infrastrukturën e mbarështimit të kafshëve dhe rritjen e cilësisë së prodhimit”, u shpreh Denaj.

Për sektorin e akuakulturës, vijoi ministrja, “ambicia e qeverisë shqiptare është për të kapur tregjet ndërkombëtare me 30 mijë ton peshk eksporte në vitin 2030. Sot jemi me 9 600 ton peshk eksporte nga akuakultura dhe për të zhvilluar këtë potencial është e domosdoshme mbështetja me grante nga Skema Kombëtare e Investimeve në Ferma”.

Denaj tha se qeveria adreson mbështetje edhe për mekanikën bujqësore, një sektor i nevojshëm për rritjen e cilësisë së prodhimit dhe uljen e kostove për fermerët.

Ministrja zbardhi mbështetjet financiare për sektorët përkatës, ku bëri të ditur se, “për serrat diellore masa e përfitimit do të jetë jo më shumë se 15 milionë lekë për ha; për serrat për prodhim perimesh jo më shumë se 8 milionë lekë për ha dhe për serrat e rrushit të tavolinës 4 milionë lekë për ha”, tha Denaj.

“Masa e përfitimit për rrjetat antibreshër do të jetë jo më shumë se 1,5 milionë lekë për ha duke zbatuar kështu politikat për mbështetjen ndaj ndryshimeve klimatike”, u shpreh Denaj.

Sipas saj, Skema Kombëtare e Investimeve në Fermë, nis këtë vit me një buxhet 500 milionë lekë, e miratuar në Aktin Normativ të Qeverisë, por do të vijoj të paguhet dhe për gjatë vitit që vjen .

Denaj informoi se aplikimet për këtë skemë nisin më 1 tetor on-line në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural dhe për aplikantët e rregullt mund të fillojmë edhe këtë vit menjëherë nga pagesat me 30% të investimit grant./ata