Gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen. Me largimin e Toskës, Gjykata Kushtetuese mbetet me 8 anëtarë, nga 9 që ka në organikë. Kjo situatë pritet të komplikojë vendimmarrjet pasi në rast të një vendimmarrje me 4 me 4 vota, Kushtetuesja s’mund të dalë me vendim. Burime i thanë Shqiptarja.com se Elsa Toska ka dhënë dorëheqjen për arsye personale dhe kërkesa është depozituar në protokoll.

‘Gjyqtarja Elsa Toska ka paraqitur dorëheqjen sot për arsye personale! Kërkesa për dorëheqjen do të shqyrtohet në mbledhje dhe është depozituar sot në protokoll’- thanë burime për Shqiptarja.com

Elsa Toska u votua nga Kuvendi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, në nëntor të vitit 2019. Me një CV të pasur dhe pas kalimit të vettingut, Elsa Toska u bë një nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 48-vjeçarja mori “OK” nga parlamenti, ku u votua me 105 vota pro dhe 2 kundër.

Elsa Toska ka qenë Këshilltare ligjore prej 12 vitesh në Gjykatën Kushtetuese. Më 12 shkurt të këtij viti, Toska si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese, kaloi me sukses Vettingun duke u konfirmuar në detyrë. Vendimi mori formë të prerë pasi nuk u ankimua më datë 21.03.2019.

Elsa Toska ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000 si dhe doktoraturën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Toska e ka filluar karrierën si ndihmës/komisionere e Avokatit të Popullit dhe prej vitit 2007 punonte si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend si dhe ka bashkëpunuar në rolin e ekspertet me një sërë organizatash ndërkombëtare./Shqiptarja