Rritja e ndërgjegjësimit për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuar, në tregun e punës, ishte objektivi i panairit për zhvillimin e karrierës dhe punësimit për personat me aftësi të kufizuara (PAK) “Dua të punoj”, që u çel të enjten në Shkodër, nga Fondacioni “Down Syndrome Albania” në bashkëpunim me Agjencinë Austriake për Zhvillim.

Rozafa Zmijani, drejtuesja Rajonale e Zyrës së Punës u shpreh për mediet se, ky nuk është një aktivitet që organizohet për herë të parë.

“Panairi ndërgjegjësues për përfshirjen në tregun e punës së personave me aftësi të kufizuar, duhet të bëhen pjesë e cikleve, trajnimit, formimit në punë, etj”, tha Zmijani.

Ajo bëri të ditur se, Zyra e Punës ka një bashkëpunim të ngushtë me shërbimin social shtetëror dhe ka regjistruar një numër të konsiderueshëm të personave me aftësi të kufizuar, për të marrë shërbimet e punësimit.

Zmijani thekson se sipas ligjit, çdo institucion apo subjekt privat që kanë mbi 25 punonjës, i 25-ti duhet të jetë një person me aftësi të kufizuar.

“Ligji detyron që çdo institucion apo subjekt privat që kanë mbi 25 punonjës, i 25-ti duhet të jetë një person me aftësi të kufizuar dhe më pas për çdo 15 punonjës të ketë një person me aftësi të kufizuar. Nuk kanë dalë udhëzimet e nevojshme të detyrueshme”, u shpreh Zmijani.

Ndërkaq të pranishëm në ambientet e panairit ishin edhe biznese që kanë të punësuar persona me aftësi të kufizuar./ata