Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në rast se partia e tij del e dyta në zgjedhjet e ardhshme nacionale që pritet të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, madje edhe nëse i kërkohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta votonte një qeveri të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

“Nuk dëgjoj për atë punë. Nuk e bën Lumiri më. Me Lëvizjen Vetëvendosje kemi probleme të thella ideologjike, politike dhe besa edhe të mirëbesimit. Kështu që është hendek i madh”, tha Abdixhiku në një intervistë për Kallxo Përnime të dielën.

Tutje, Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, i mbron njerëzit e korruptuar dhe se qeveria e tij është përplot me korrupsion, ndryshe nga seç ishte zotuar.

“Ky është dallimi kryesor mes meje dhe Albin Kurtit; ai i mbron njerëzit e korruptuar, ai ka ardh me zotime se s’ka korrupsion në qeverinë e tij, qeveria e tij është përplot me korrupsion, jo vetëm që është me korrupsion, por del e i mbron”, shtoi.

Lideri i opozitës insistoi se “kemi një kryeministër që e mbron këtë të korruptuarin”, derisa u zotua se po të jetë në rolin e Kurtit si kryeministër, s’do ta bëjë asnjëherë një gjë të tillë.

“Unë i kam 9781 kryetarë e anëtarë të kryesisë së LDK-së; nuk mundem me garantu që asnjëri prej tyre edhe nuk vjedh, po garantoj një gjë: do ta ballafaqoj publikisht i pari unë, do ta ballafaqoj, do ta distancoj dhe do ta dënoj faktin që mundin tim, e të bashkëpunëtorëve të mi po na keqpërdor dikush”, shtoi.

Sa i përket qëndrimit që presidentja Vjosa Osmani, e bëri ditë më parë në lidhje me ambasadorin Berishaj, ku tha se do të ishte mirë që të largohej nga pozita përderisa të sqarohet gjithçka, kreu i LDK-së e konsideroi si të vonshëm.

“I vonshëm për besë, sepse tash 3 vjet po bëhen, ma mirë vonë se kurrë, po është reagim që e kam thanë para 3 vjetëve”, potencoi.

Derisa akuzoi qeverinë për korrupsion, Abdixhiku renditi aferat me të cilat është përballur ekzekutivi aktual.

“Martin Berishaj, Nagipi, rezervat shtetërore, 2271 tenderë sekretë, 270 milionë tenderë sekret, 100 veç në KEK…”./Albanianpost