Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, tha sot se Sali Berisha e ka dashur Partinë Demokratike për ta përdorur si mburojë kundër SPAK dhe kjo u pa në protestën e thirrur para disa javësh kur iu komunikua akuza.

Sipas tij, Berisha jo vetëm që nuk përbën shpresë, por nuk arrin dot as të ngrihet në këmbë për të bërë minimumin e detyrës për të cilën u thirr një protestë për të mbrojtur të parin e saj.

“Është e qartë besoj që javën e kaluar për çdo demokrat, edhe për ata që në mënyrë më fanatike shkuan pas zotit Berisha, që ajo që kam paralajmëruar para 3 vitesh doli e vërtetë. Zoti Berisha Partinë Demokratike e ka dashur për ta përdorur si mburojë kundër SPAK, si mburojë kundër përcaktimeve të tij si non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Dhe kjo u duk qartë në thirrjen e protestës para SPAK ditën kur iu komunikua akuza. Siç duket qartë që ajo pjesë e PD që zoti Berisha pretendon të përfaqësojë, tashmë është e shkalafitur, e shkatërruar”, tha Basha.

Basha më tej tha se shqiptarët dhe demokratët meritojnë një parti demokratike, një parti opozitare, një koalicion opozitar i cili nuk frymon për hallet e të parit të vet, por për hallet e qytetarëve. Basha po ashtu tha se në gjykimin e tij edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk është një alternativë, pasi e ka mbyllur ciklin e tij politik.

Basha, tha po ashtu se grupimi që ai drejton do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme me listë të plotë prej 140 kandidatësh dhe se vetë ai do të jetë pjesë e listës së hapur.

Ai tha se, brenda javëve të ardhshme një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë dhe pjesë e tyre janë edhe nga partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik.

“Jemi në fazën e përfundimit e listës tonë të kandidatëve për deputetë. Besoj që brenda ditëve të ardhshme, javëve të ardhshme, një emër jo i vogël kandidatësh do të bëhen publikë. Disa prej tyre kanë nisur tashmë dhe punën në terren. Natyrisht, ky është një proces që po ndodh në bashkëpunim edhe me partitë e Harkut Opozitar Euroatlantik, sepse do të jetë një listë e konsoliduar”, tha Basha për “Top News”.

Ai shtoi se, “konsensusi i deritanishëm i Kolegjit të Kryetarëve, i Kryesisë së Partisë edhe i Këshillit Kombëtar, por që do të marrë formë përfundimtare së shpejti, është që të shtyjmë përpara me rekursin, me ankimimin që kemi bërë në Gjykatën Kushtetuese, kundër mbylljes së listave nga Edi Rama dhe Sali Berisha”.

Por, theksoi Basha, “në çdo rast do të konkurrojmë me lista të hapura. Pra përmes lëvizjeve tona do të pamundësojmë listën e mbyllur të Demokratëve Euroatlantikë, të Harkut Opozitar Euroatlantik dhe do të garojmë me 140 kandidatë në lista të hapura. Unë vetë do të jem në listën e hapur dhe renditja do të jetë alfabetike”./ata