Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale (DPPI) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën Hungareze të Pronësisë Intelektuale.
Drejtoresha e përgjithshme (e komanduar) e DPPI, Maria Solis, mirëpriti Peter Labody, zëvendëspresident i Zyrës Hungareze të Pronësisë Intelektuale, në një takim që synonte të përforconte urat e bashkëpunimit mes dy institucioneve, ku u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes DPPI dhe HIPO.
Ky mision, i fokusuar në zhvillimin dhe fuqizimin e ekosistemit të inovacionit, përbën një mundësi mjaft të mirë për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira.
Sipas një postimi në rrjetet sociale nga DPI, diskutimet e planifikuara në dy ditët e vizitës së delegacionit hungarez, do të përqendrohen te rritja e ndërgjegjësimit për inovacionin në universitetet dhe start-up-et, duke sjellë përvojën e suksesshme të Zyrës Hungareze si një shembull inspirues për të ardhmen.
Në këtë kontekst, Solis ndau me Labody përvojat dhe arritjet e DPPI-së në organizimin e aktiviteteve të ndërgjegjësimit, me fokus të veçantë tek universitetet dhe start-up-et.
Ky bashkëpunim ndërinstitucional, jo vetëm që ndihmon në ngritjen e kapaciteteve, por edhe në forcimin e lidhjeve mes inovatorëve të rinj dhe institucioneve të pronësisë intelektuale, duke ndërtuar një themel të fortë për të ardhmen e inovacionit në Shqipëri./ata