Të kesh shtëpinë me vete gjatë udhëtimeve është e mundur falë Sami Hoxhës.

Prej 6 vitesh, i riu nga Bulqiza transformon furgonat në kampera, dyqan veshjesh, regji televizive, fastfood etj.

“Jam shumë i lumtur që pasioni im i fëmijërisë tashmë u bë realitet. Shikoja video në Youtube të transformimit të furgonave, ndërkohë tani kam mundësi të jem në kontakt me biznese të ndryshme për projektet që ata kërkojnë.

Sigurisht këtë profesion e nisa në një kompani tjetër, por kam 3 vite që e kam nisur si biznes timin”, shprehet 32 vjeçari për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.

Çdo projekt e mirëpret me kënaqësi pasi çdo sfidë e re dhe kërkesë ndryshe i jep mundësinë të shpalosë kreativitetin e tij.

“Ky rrugëtim nuk ka qenë i lehtë për mua. Ka pasur vështirësitë e veta në zbatimin e projekteve përsa i përket afatit dhe konsultimit me klientët, por besoj që ia arrita kësaj pune dhe projektet i realizoj edhe më shpejt edhe më bukur.

Për rikonstruksionin e kamperit më duhen 2-3 javë për ta përfunduar si projekt.

Njerëzit e preferojnë shumë kamperin sepse është si të kesh një shtëpi me vete ku mund të eksplorosh vende të ndryshme”, tregon i riu.

Viteve të fundit është vënë re një zbehje e interesit të të rinjve për zanatet, ndaj Samiu ka një mesazh referuar eksperiencës personale.

“Të rinjtë të ndjekin shkollat profesionale dhe ta rindërtojnë jetën siç e kanë pasion vet. Me mund dhe sakrificë ia arrin qëllimit”, thotë ai./Shqiptarja