Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu miratoi sulmin ajror ndaj kryeqytetit libanez Bejrut teksa ishte në New York për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe do të shkurtojë vizitën e tij për t’u kthyer në vendin e tij pas zhvillimeve të fundit, njoftoi kryeministria e Izraelit.
Sipas deklaratës së kryeministrisë, Netanyahu e ka ndryshuar orarin e kthimit nga SHBA-ja, që fillimisht ishte planifikuar për të shtunën në mbrëmje.
Zyra e shtypit e kryeministrisë publikoi gjithashtu një fotografi të Netanyahut në një telefon në momentin që ai thuhet se ka miratuar sulmin ajror në Bejrut.
Sipas raportimeve në shtypin izraelit, Netanyahu do të shkojë në kompleksin e Ministrisë së Mbrojtjes në Tel Aviv menjëherë pasi të arrijë në Izrael dhe do të zhvillojë takime “konsultimi për sigurinë”.
Ndryshe, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Bejrut dhe njoftoi të ketë bombarduar një pikë që pretendoi se ishte selia kryesore e Hezbollahut në rajonin Dahiye në jug të kryeqytetit libanez.
Shtypi izraelit pretendoi se Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hasan Nasrallah, ishte gjithashtu në shënjestër të bombardimeve./aa